Konkurs për drejtorët që do t’i emërojë Qeveria

Do të shpallet konkurs për drejtorët e institucioneve që do të emërohen nga Qeveria dhe për anëtarët e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, ndërsa ata do të duhet të paraqesin letër motivuese dhe program pune për të qenë në gjendje që në fund të mandatit tyre të vlerësohen për atë që është bërë.

Në këtë mënyrë, sipas zëvendëskryeministrit i ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Lupço Nikollovski do të zgjidhet staf profesional i vërtetë.

“Është ndryshim i madh që deri më tani për shumicën e tyre nuk është detyrim ligjor. Jam duke folur për standarde të reja, praktika të reja që ne jemi të gatshëm të vendosim. Kur ta hapim atë proces, me siguri do të jetë mundësi për njerëzit me kapacitet të integrohen në institucione në këto katër vjet kur duhet të transformojmë shoqërinë. Ajo që nuk është bërë me breza, le të fillojmë të ndryshojmë”, tha Nikollovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Ai shtoi se nuk është e mundur të ndryshohet gjithçka brenda disa muajsh apo vitesh, por, siç tha ai, ekziston vullnet i madh politik për të filluar këtë proces dhe ngadalë të vendoset rendi në vetë institucionet.

Ai përsëriti se një nga veprimtaritë e para të kabinetit të tij do të jetë krijimi i grupit të punës që do të skanojë ligjet dhe do të propozojë masa që do të kufizojnë të drejtat diskrete të zyrtarëve.

Lidhur me raportet e auditimit, Nikollovski tha se plani nuk është që të lexohen të gjitha raportet, por të ndryshohet perceptimi i këtyre raporteve dhe rekomandimet në ato, të merren seriozisht nga udhëheqësit e institucioneve.

“Kemi institucione, shoqëri aksionare dhe ndërmarrje publike të cilat janë themeluar nga Qeveria dhe kanë humbje. Ne duam të bëjmë presion mbi personelin me të vërtetë të përgjegjshëm që duhet të jetë mbajtës i pozicioneve, të përqendrohet në përmbushjen e rekomandimeve dhe gjetjeve nga raportet e auditimit. Nëse kjo nuk është bërë, do të fillohet procedurë e përshtatshme në përputhje me Kodin e Etikës. Jam duke folur për sistem të tillë në të cilin raportet e auditimit do të merren seriozisht parasysh nga ne, nën monitorim, dhe jo për të shërbyer vetëm për t’u përgatitur dhe askush nuk vepron sipas tyre”, shpjegoi Nikollovski.

Ai njoftoi se në luftën kundër korrupsionit, Qeveria do të marrë parasysh 40 të rekomandimet nga raporti i Transparensi Interneshënëll.