Pesëmbëdhjetë kontejnerët gjysmë-nëntokësor të cilët u montuan para disa javëve, nesër do të lëshohen në përdorim për qytetarët. Gjithashtu nga nesër në Tetovë do të ketë edhe 100 kontejnerë të rinj të cilët janë donacion nga Komuna e Karatayt nga Turqia, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse kontejnerët gjysmë-nëntokësor u montuan tani e disa javë, të njëjtët u desh të presin javë të tëra që institucionet të merren vesh njëra me tjetrën që të lëshohen në përdorim, deri sa me 30 qershor të këtij viti u bë pranim-dorëzimi ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Komunës së Tetovës.

Konetenjerët gjysmë-nëntokësor në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konetenjerët gjysmë-nëntokësor në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
“Sot promovojmë projektin i cili është realizuar me sukses, për projektin e furnizimit të Komunës së Tetovës me kontejnerë gjysmë-nëntokësor dhe automjete speciale për bartjen e mbeturinave. Vendimi për realizimin e këtij projekti është miratuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës. Qëllimi kryesor është përmirësimi i shërbimeve komunale në Komunën e Tetovës përmes ndërmarrjes komunale publike. Mjetet për këtë projekt janë fituar nga huamarrja e projektit për furnizim të autobusëve në 2019”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Gjithashtu, nga nesër qyteti do i shtohen edhe njëqind kontejnerë të rinj të cilët janë donacion nga Turqia.

“Përmes unionit të bashkive botërore turke, Tetova falë bashkëpunimit të frytshëm me bashkinë e Konjës, gjegjësisht me komunën Karatay ka siguruar donacion 100 kontejnerë për nevojat e qytetit, për të cilat janë bërë të gjitha procedurat, dhe nga nesër NPK mund t’i vendos në funksion”, njoftoi Kasami.

Donacioni i kontejnerëve nga Turqia, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Donacioni i kontejnerëve nga Turqia, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mes tjerash ai apeloi që qytetarët të bëjnë pagesat që kanë ndaj NPK-së që e njëjta ta ketë më të lehtë të mund të jetë në shërbim të tyre, pasi pagesat janë shumë të vogla.

Ndërtimi i kontejnerëve gjysmë-nëntokësorë u realizua nga Komuna e Tetovës në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Komunale (MSIP) i cili financohet përmes Njësisë së Projektit të Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore, në vlerë prej 28 milion denarë.

Rikujtojmë që Tetova ka nevojë urgjente për më shumë kontejnerë pasi ato ekzistues nuk mund të përballojnë sasinë e mbeturinave të cilat hidhen në to dhe si të tilla përfundojnë në rrugë. Ndërkaq pritet që këto kontejnerë të përmirësojnë gjendjen me mbeturina.

Ndryshe, Portalb.mk vazhdimisht ka kërkuar llogari nga institucionet për vonesat në lëshimin në përdorim të kontejnerëve gjysmë-nëntokësor.