Bllokimi i produkteve ushqimore të cilët duhet të hynin nga Shqipëria në Maqedoni është bërë për shkak të një kontrolli më rigoroz të autoriteteve për praninë e pesticideve në to. Një gjë të tillë e konfirmoi numri një i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë.

“Gjatë periudhës së dimrit kur ka numër të vogël të dërgesave të pemëve dhe perimeve, merren mostra në vendkalimet kufitare, ndërsa automjetet nuk qëndrojnë në vendkalimet kufitare, por mbahen në brendinë e territorit nën mbikëqyrje derisa nuk merren rezultatet”, deklaroi Zoran Popovski, drejtor i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë.

Mirëpo, për shkak të rritjes aktuale të vëllimit të punës, kamionët rezultatet zyrtare i presin në kufij. Ndryshe, në përputhje me marrëveshjen CEFTA nëse ka dyshim se në produktet ka pesticide, mund të ndalohet ose kufizohet importi, deri në analizën përkatëse.

“Është i pabazë reagimi i operatorëve afarist, por duhet të kemi mirëkuptim edhe për ata meqë të njëjtit e kanë logjikën e biznesit që më lehtë t’i plasojnë në cilindo treg produktet e veta dhe të kenë përfitim ekonomik. Por, e para dhe themelore është siguria e produkteve dhe shëndeti i konsumatorëve”, tha Zoran Popovski.

Autoritetet maqedonase dhe shqiptare janë në komunikim e sipër. Kontrollet janë veçanërisht të rëndësishme sepse vitin e kaluar në vend në 4% të pemëve dhe perimeve ka pasur nivel të rritur të pesticideve. Kjo është një përqindje e lartë, nëse kihet parasysh se në Evropë ky nivel arrin vetëm 1%.