E përditshmja zyrtare koreanoveriore ka sulmuar ashpër presidentin amerikan Donald Tramp duke e cilësuar atë si një psikopat, ndërkohë që tensioni mes dy vendeve vijon të përshkallëzohet.
Donald Trump? Eshtë një psikopat. Kështu e cilëson presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e përditshmja zyrtare koreanoveriore, Rodong Sinmun, e cila në një editorial të publikuar të premten i hedh ende benzinë zjarrit të tensionit mes Uashingtonit dhe Penianin.
E përditshmja thekson se Tramp gjendet në një situatë të vështirë në vendin e tij dhe duke mbështetur idenë e një sulmi paraprak kundër Koresë së Veriut, ai synon të tërheqë vëmendjen e opinionit punlik nga problemet që ka me politikat e brendshme.
“Korea e Jugut duhet të kuptojë se duke ndjekur Tramp psikopatin, do të përfundojë e shkatërruar, lexohet ndër të tjera në editorial.
Trump disa herë ka dënuar regjimin brutal të Penianit, i cili vijon të zhvillojë programin e tij bërthamor, dhe ka deklaruar se është i vendosur të ndalojë tragjeditë ndaj personave të pafajshëm, tragjedi që shkaktohen nga regjime që nuk respektojnë të drejtat e njeriut.
Fjalët e tij janë cituar dhe nga presidenti koreanojugor Moon Jae-In, i cili në një intervistë para vizitës në Shtëpinë e Bardhë u shpreh se Korea e veriut është përgjegjëse për vdekjen e studentit amerikan Oto Uarmbier i liruar nga Peniani në gjendje kome pas disa muajsh qëndrimi në burg.