Në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër është shënuar rënie drastike e vizitave të fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë shëndetësore. Pandemia drejtpërdrejt ka ndikuar në uljen e numrit të vizitave në këtë spital, por edhe në ordinancën pediatrike private, ndërsa vizitat realizohen vetëm kur fëmijët kanë gjendej më të përkeqësuar shëndetësore. Sipas pediatrit Lulzim Strikçani, nga fillimi i pandemisë të Kovid-19 ka një ulje drastike të vizitave që kryhen në repartin e Pediatrisë. Frika nga virusi, por edhe vetëdija e lart e prindërve që të mos bëhen shkak i ndonjë infeksioneve, ka ndikuar në uljen të vizitave në këtë repart. Pediatri Strikçani sqaron se prindërit dibran gjatë këtyre muajve – në situatë të pandemisë, kanë treguar një vetëdije të lartë dhe për fëmijët e sëmurë paraqiten në telefon, me çka konsultohen me mjekun e nëse ka nevojë të patjetërsueshme, vijnë në kontroll të drejtpërdrejt tek mjeku pediatër.

“Jemi tejet të kënaqur nga mënyra e respektimit të mbrojtjes nga infektimi eventual nga virusi i rrezikshëm”, thotë Strikçani, ndërsa shton se pikërisht një mënyrë e këtillë e vizitave, ka ndikuar shumë pozitivisht në aktivitetin preventiv për të mos pas vend zgjerimi i infektimeve. Vizitat që bëhen deri tani me sukses realizohen dhe shërimi i fëmijëve nga sëmundjet e ndryshme, për fat të mirë, kalon pa probleme, tregon pediatri Strikçani. Një rol të madh kanë edhe mjekët pediatër, të cilët nëpërmjet telefonatave japin sqarime konkrete për mënyrën e shërimit të fëmijëve, normalisht kur rastet janë më të lehta. Stafi i repartit të pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër me plot sukses po realizon vizitat dhe shërimin e fëmijëve nga komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Shpeshherë, këtu shërohen edhe fëmijë nga Komuna Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë. Rastet më të rënda trajtohen në Spitalet e Strugës, Ohrit dhe Shkupit, informojnë nga ky repart.

Edhe në ambulancën pediatrike private – të vetme në Dibër – “Pediatria D”, vlerësojnë se vetëdija e prindërve dhe mbrojtja nga Kovid -19 ka ndikuar në uljen e vizitave të fëmijëve në këtë ambulancë. Pediatri i njohur dibran, Arben Agolli, na deklaroi se tashmë është përgjysmuar numri i vizitave të fëmijëve. “Mund të themi se mbi 50 për qind kemi ulje të vizitave që nga muaji mars”, tregon Agolli dhe shton se vetëdija e prindërve është e lartë dhe duke shfrytëzuar kontaktet telefonike dhe këshillat që u jepen nëpërmjet telefonave, ata drejtpërdrejt ndikojnë në mbrojtjen nga grumbullimi në ambientet e spitalit dhe ambilancave që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre.

“Ne, si staf mjekësor, sugjeruam këtë mënyrë të punës dhe prindërit si të tillë pranuan që për rastet më të lehta, nëpërmjet bisedave telefonike të informohen për marrjen e medikamenteve. Normalisht se për rastet më të rënda trajtohen tek ne. Me sukses kemi trajtuar të gjithë rastet e rënda tek fëmijët. Një vëmendje të veçantë u kushtojmë edhe fëmijëve që kanë sëmundje kronike dhe deri tani me sukses realizojmë obligimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve. Edhe në këtë ambulancë private trajtohen fëmijët jo vetëm nga Komuna Dibër, por edhe nga Komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë”, thotë Agolli. Të theksojmë se deri në këto momente, vetëm dy raste pozitiv tek fëmijët me Kovid-19 janë evidentuar në Njësinë për shëndet publik në Dibër. Mbrojtja shëndetësore e fëmijëve realizohet pa probleme si nga përpjekja e mjekëve pediatër, por edhe kultura shëndetësore që është prezente në Dibër.