Shkruan: Arif Musa

Korrupsioni padyshim është një fenomen shkatërrues për shoqërinë, por kur kësaj ia bashkëngjisim edhe fenomenin monopol situate bëhet edhe më dramatike dhe më shkatërruese për shoqërinë njerëzore. Këtu në Maqedoni këto dy fenomene janë në koalicion të pandashëm në këto dy dekada të tranzicionit.

Por për çka duhet të brengosemi ne shqiptarët kohëve të fundit?

Jo më larg se katër deri pesë ditë më parë në fshatin Shipkovicë të Tetovës ndodhi një fenomen i pazakontë për ne Shqiptarët. Në të vërtetë për habi të opinionit vendas ish kryeministrit  Nikolla Gruevski i jepet një mirënjohje gjoja për kontributin e dhënë në lidhje me vërshimet që përfshinë rajonin e Shipkovicës një vit më parë. Ç’është e vërteta ky person jo vetëm që nuk meriton të “dekorohet” për atë që gjoja ka bërë për përmirësimin e gjendjes pas vërshimeve, por përkundrazi duhet që të jep llogari dhe të merret në përgjegjësi për atë çka e ka detyrë dhe obligim ta bëjë si kryeministër në raste të tilla si që janë fatkeqësitë natyrore. Ai para një viti pat deklaruar në mënyrë pompoze se shumë shpejtë do ti sanojë dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe do t’i dëmshpërblejë familjet e prekura nga vërshimet. Deri në këto momente familjet e prekura prej vërshimeve pjesërisht janë kompensuar, kurse përroi që vërshoi dhe mori edhe pesë (5) jetë njerëzish as qe është prekur dhe ende është rrezik permanent për banorët e Shipkovicës e posaçërisht për familjet e dëmtuara.

Por çka ndodhi më 2 Gusht 2016?

Ish kryeministri inspektoi lagjet e dëmtuara dhe në vend që të kërkojë falje se gjendja nuk është përmirësuar dhe ai nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë para një viti, atij iu dha një mirënjohje për atë çka është dashur ta bëjë si kryeministër dhe si qeveri. Disa nga familjet dhe shitoret e fshatit bile aspak nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga vërshime e përroit të fshatit.

U lavdërua se ai (qeveria) paratë për dëmet e shkaktuara i ka destinuar deri te komuna e Tetovës, por atje kanë ngel pa u dedikuar deri te çdo familje e dëmtuar, që do të thotë se ky njeri (si kryeministër) kushtimisht e kryer detyrë e tij, dhe tani lirisht mund të kthehet në vendbanimet shqiptare për të kërkuar prej tyre që edhe politikisht atë ta mbështesin dhe më pas të manipulojë me votat e tyre.

Si është e mundur të ndodhë ky fenomen?

Pikërisht atëherë kur partitë Shqiptare parlamentare (posaçërisht BDI-ja), nuk çajnë kokën për problemet e popullatës shqiptare dhe të verbuar nga paraja dhe interesi personal, të kapur nga korrupsioni i skajshëm ndodh që t’i lejohet VMRO-së – MONOPOLI edhe mbi elektoratin dhe votuesin shqiptar. Rasti Shipkovica (me Gruevskin) dhe Haraçina (me Zaevin) janë shembuj më të mirë për të parë, se si  partitë shqiptare parlamentare (BDI dhe PDSH) monopolin mbi elektoratin shqiptarë dalëngadalë dhe qetë pa asnjë kundërshtim ia lënë partive më të mëdha Maqedonase si VMRO dhe LSDM.

Partitë shqiptare të përmendura më lartë duke trajtuar elektoratin e vet – pra shqiptarët si pronë e tyre personale mbi të cilën kanë monopol të pa kontestueshëm po ju rezulton kohëve të fundit se këtë monopol përfundimisht e kanë humbur dhe nuk janë në gjendje që ta kontrollojnë. Paraqitja e Gruevskit në Shipkovicë dhe Zaevit në Haraçinë do të thotë se ata këtë produkt monopoli, që do ta tregtojnë në të ardhmen. Për të sqaruar ç’është monopoli do të shërbehemi me shkencën e Ekonomisë, sepse atje përdoret si term adekuat për të treguar se monopoli është vendosje e të drejtës dhe përdorimit të një produkti apo shërbimi vetëm nga një subjekt ekonomik ose në raste të caktuara edhe shteti, si kryes i ndonjë shërbimi me interes të përgjithshëm mund të ketë monopol.

Këtë të drejtë për përdorim dhe shfrytëzim të elektoratit shqiptarë BDI e ka humbur për shkak  se ai (elektorati shqiptarë) nuk është produkt tregu, ai është i vetëdijshëm, flet, komunikon, mendon logjikshëm dhe nuk lejon që një grupacion politik për interesa dhe përfitime personale ta tregtojë kur të dojë dhe kujt të dojë.

Kredibiliteti moral dhe politik tanimë i nëpërkëmbur dhe humbur në këto dy subjekte politike si BDI dhe PDSH, ka detyruar shqiptarët që të kërkojnë alternativa tjera politike. Partitë e reja në kampusin Shqiptarë të quajtura Lëvizje janë shembulli më i mirë se Shqiptarët nuk janë produkt tregtarë dhe zgjedhjen e tyre do ta bëjnë vetë pa pasur nevojë për stërshitës të interesave politike dhe nacionale.

(Autori është ish anëtar i Komisionit për parandalimin e korrupsionit, dhe kryetar i Kuvendit të Degës Tetovë në LR-PDSH)