Korrupsioni në Maqedoni

SELIM ILJAZI

Situata e rëndë politike, ekonomike, financiare në Maqedoni, me një qeverisje diskriminuese, fund e krye e kriminalizuar çuan në rënien e qeveri së këti vendi dhe zëvendësimin e sajë me qeveri teknike. Një situatë e tillë në Maqedoni, duhet masa shumë më serioze në planin politik, ekonomik e financiar, përfshirë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këto kushte, ka nevojë urgjente për një qeveri reale politik dhe një ndërveprim të gjithanshëm të partive politike, një zë shumë më profesional, në analizë dhe në vendimmarrje… Korrupsioni si antitezë e qeverisjes së mirë! Në kushtet e krizës politike, financiare dhe të borxhit, një nga proceset e rëndësishme në zhvillimin politik-institucional e social-ekonomik të Maqedonis, është ai i përmirësimit në vazhdimësi të qeverisjes dhe, mbi të gjitha, lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Korrupsioni prek jo pak rritjen ekonomike, zhvillimin njerëzor e asistencën sociale, godet nivelin e demokracisë, rrit kostot e ndërmarrjeve private, deformon shpërndarjen e të ardhurave, pengon futjen e investimeve të huaja, dëmton besimin ndaj institucioneve, cenon moralin e qytetarit, rritet paqëndrueshmëria sociale, pakënaqësia e reagimi publik, prodhohet një gjendje e përgjithshme me mangësi serioze në respektimin e zbatimin e ligjit, duke goditur jo vetëm aktivitetin normal politik-institucional, por dhe veprimtarinë ekonomike.
A ka korrelacion midis nivelit të demokracisë dhe atij të korrupsionit? Një akt korrupsioni është dhe krejtësisht antidemokratik; i tillë është, p.sh. shfrytëzimi i zyrës publike për përfitime private. Ai deformon në vetvete detyrën publike, ushtrimin e saj në përputhje me votën e dhënë. Megjithatë, korrelacioni midis nivelit të demokracisë dhe atij të korrupsionit nuk është i thjeshtë. Një vend që organizon zgjedhje të rregullta, të lira dhe të ndershme, që respekton garën politike dhe ka një mjedis politik me forcat opozitare aktive dhe të mirë organizuara, ku degët legjislative dhe gjyqësore janë realisht të pavarura, ku plotësohen më së miri parametrat e lirisë së shprehjes dhe medias së lirë, një vend i tillë ka kushte më të favorshme për të luftuar korrupsionin se një vend tjetër ku cungohen këto kolona. Po ashtu, një demokratizim në rritje nënkupton dhe një media aktive dhe të pavarur, një shoqëri civile më të devotshme, një qytetari më pjesëmarrëse. Kjo duhet kuptuar mirë në kushtet tona. Sepse, institucionet demokratike janë ato që shërbejnë në një perspektivë afatgjatë si antibiotikë në luftën kundër korrupsionit. Për këtë kërkohet dhe një vullnet e impuls i ri politik, që ato të funksionojnë në mënyrë efektive.

Vakumi institucional, mungesa e autoritetit shtetëror me rënien e menjëhershme të kontrollit autokratik, konflikti i vlerave të mëparshme me ato të mëvonshme, krijimi i një elite të kapërthyer me të kaluarën, decentralizimi, privatizimi e hapja e ekonomisë ndaj pjesëmarrjes private e kapitalit të huaj etj, më demokraci ende të brishtë, si Maqedonia, disa nga këto dukuri janë akoma të pranishme. Gjithashtu, për të minimizuar korrupsionin administrativ, shërbimet publike duhet të jenë shumë më afër konsumatorit, duke rritur kështu efektivitetin e tyre, pse jo dhe duke pakësuar kostot e veta nëpërmjet mekanizmash të tillë si transparenca e llogari-dhënia. E kundërta ndodh kur kultivohet një atmosferë “sekreti”, veçanërisht në ndërveprimin publik- privat. Madje, në Maqedoni nuk mungojnë rastet kur korrupsioni zyrtar, administrativ e politik, është ngushtësisht i lidhur edhe me këtë ndërveprim binomial, duke cenuar jo vetëm moralin e administratës publike e biznesit, por dhe etikën e vetë politikës. Pse jo edhe duke angazhuar mjete, duke furnizuar procedura e rrugë jo morale e jo etike të bërjes biznes dhe politikë. Korrupsioni, mosrespektimi i ligjit dhe pandershmëria e dyanshme bëhen, kështu, karakteristika tipike të jetës politike e ekonomike. Po t’i shtohen kësaj gjendje edhe dobësitë e sistemit gjyqësor në investigim, procedim e gjykim, apo sjelljet joetike e korruptive brenda tij, atëherë shqetësimi ynë mbetet po aq serioz në kohë. Por, kështu, nuk mund të vazhdohet më tej! Duhet lëvizur me shpejtësi, jo me fjalë e demagogji, jo me mburrje e lavdërime, as me pretendime modelesh të suksesshme, por me masa të gjithanshme të miratuara me konsensusin e të gjitha forcave politike.

Selim Iljazi