Komisioni Evropian do të monitorojë të paktën 50 procese gjyqësore për korrupsion ose krim të organizuar në Maqedoninë e Veriut në mënyrë të drejtpërdrejt. Përgjegjës për monitorimin do të jenë përfaqësues të OSBE-së të cilët do t’ia paraqesin raportet Komisionit, njofton Alsat M.

Se cili gjykim do të jenë nën vëzhgim do të varet se kush akuzohet, nëse ai është person publik, nëse ka pushtet, peshën e krimit, dëmin ekonomik dhe ndikim në veprën penale tek qytetarët. Do të monitorohen edhe veprat penale për keqpërdorim të detyrës, ndërmjetësim gjatë prokurimeve, mashtrim dhe pastrim parash. Gjithashtu do të monitorohen edhe rastet e korrupsionit në shëndetësi dhe arsim, si dhe gjykimet ndaj krimit financiar, trafikimit me njerëz, drogë ose armë. Ministria e Drejtësisë pret që Komisioni Evropian të japë rekomandime për qasje efektive në proceset gjyqësore ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.