Jo shumë vite më parë, përgatitja e kosit (siç quhet ndryshe, zënia e kosit) në shtëpi, ishte praktikë e përditshme për të gjitha gjyshet apo mamatë.

Me kalimin e viteve dhe tejmbushjen e tregut me produkte të gatshme, ky zakon, thuajse humbi por këto kohët e fundit, kur pasigura ushqimore është rritur, zonjat e shtëpive po e blejnë sërish qumështin te fshatarët për ta bërë kosin vetë!

Kosi duhet të jetë në mënynë e përditshme të të gjithëve; nga fëmijët deri te të moshuarit! Të paktën një gotë kos në mëngjes apo darkë, është e domosdoshme!

Efektet e tij janë shumë më të mira nëse e përgatisni vetë. Kosi i gatshëm, në shumicën e rasteve, është i përgatitur me qumësht pluhur dhe protein të ndryshme në formë puhuri.

Kosi është një burim i mirë proteinash dhe ka një strukturë e cila është burim kalciumi dhe një masë mbrojtëse ndaj infeksioneve të zorrëve dhe atyre urinare.

Për të mësuar fëmijët me kosin, nëse nuk e pëlqejnë, shtojini fruta të freskëta dhe mjaltë. Kosi është një nga produktet më të mira të qumshtit sepse është lehtësisht i tretshëm dhe rregullator i shqetësimeve të stomakut. Kosi nuk shkakton fryrjen që ju shkakton qumështi.