Një studim i fundit, që ka përfshirë mijëra persona, ka treguar se kosi e ul 20% rrezikun e tensionit të lartë.
Efekti është vënë re më shumë te femrat, pasi meshkujt konsumojnë shumë më pak kos, sipas studiuesve amerikanë.
Të mirat e kosit pesë herë në javë ishin edhe më të mëdha te ata persona që konsumonin gjithashtu fruta, perime dhe arra, shkruan Shije. Justin Buendia e Universitetit të Bostonit, tha: “Nuk ka ushqime magjike, por të shtosh kosin në një dietë të shëndetshme ndihmon që të ulet rreziku i tensionit të lartë te femrat. Ky është studimi më i madh deri më sot për kosin”.
Ky studim përdori të dhëna nga 240 000 persona, shumica femra të moshës 25-55 vjeç. Gjithsesi, nuk është shpjeguar se si kosi e ul tensionin.
Studime të tjera kanë dalë në përfundimin se bakteret që ka kosi luajnë rol në uljen e nivelit të kolesterolit dhe ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak.
Kërkuesit shkencorë kanë dalë edhe në përfundimin se kosi mund të ndihmojë në luftën kundër osteoporozës dhe në uljen e rasteve të sëmundjeve të zemrës.
Gjithsesi, një studim spanjoll i publikuar në prillin e vitit të kaluar dhe që mori në vëzhgim rreth 4 mijë persona, nuk gjeti asnjë të mirë nga konsumimi i kosit.