Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot pas hapjes së një panairi të veturave në Beograd se “pesë minuta më parë” ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervala-Schwartz, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Dhe me këtë, siç ka pretenduar presidenti i Serbisë, pala kosovare “ka prishur” marrëveshjen e Uashingtonit, përcjell Telegrafi.

Në këtë drejtim, Vuçiq ka bërë të ditur se seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të mbahet të premten në orën 11:00.

Ndërkohë të mërkurën, ai kishte deklaruar se lidhur me këtë, do të kishte “përgjigje serioze” ndaj Kosovës.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla ka dorëzuar në Këshillin e Evropës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.

Ministrja ka theksuar se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill të Evropës.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.