Pas shumë vitesh pa ujë e pa jetë, bifurkacioni i Ferizajt sërish po frymon. Ai përsëri është ringjallur.

Pas shumë vitesh dëgjohen sërish gurgullimat dhe ecejaket e këndshme të ujit. Pas një kohe të gjatë qytetit të Ferizajt i është kthyer prapë freskia e jeta me funksionalizimin e bifurkacionit.

Brazili i pari, Kosova e dyta dhe e fundit. Janë dy shtetet e vetme në botë që kanë bifurkacionin si fenomen tejet të rrallë natyror. Nuk ka të tjera.

Lumi i Nerodimes në dalje të Ferizajt, i cili paraqet bifurkacionin e vetëm në Kosovë ndahet në dy pjesë me ç’rast njëra shkon e derdhet në detin Egje e tjera në Detin e Zi. Për t’u mos u bashkuar më kurrë. Asnjëherë.

Pikërisht ky bifurkacion bën që qytetin e Ferizajt ta vizitojnë njerëz nga mbarë Kosova e trojet e tjera shqiptare. Nga mbarë Ballkani, Evropa e bota. Verë e dimër, pa ndalë! Me një fenomen të tillë në një territor aq të vogël siç është Kosova, më së shumti mbeten të mahnitur vizitorët e huaj. Madje, ka prej tyre që vizitat te bifurkacioni i lumit Nerodime tashmë i kanë bërë rutinë. Vit për vit. Pa ia huqur asnjëherë.

“Prej Norvegjisë ka qenë një vizitor me profesion gjeograf, rregullisht ka ardhur me familje. Është interesuar për bifurkacionin. Të huajt e vlerësojnë shumë”, rrëfen Shaban Kashtanjeva nga restorant “Bifurkacioni”.

Madje, vizitorët e jashtëm e vlerësojnë aq fort bifurkacionin e këtij qyteti, saqë janë të bindur që ai vlen shumë herë më shumë se i tërë qyteti i Ferizajt.

“Ka pas ardhur para dy vjetësh një gjerman, elektroinxhinier, i cili pati thënë ‘më shumë vlerë ka ky vend se i tërë Ferizaj’”, tregon me krenari ai.

E rimëkëmbja e këtij fenomeni natyror, siç tregon Kashtanjeva, erdhi nga bashkëpunimi i bashkësisë evropiane dhe Komunës së Ferizajt.

Kurse, për rreth 5 vjet kjo pjesë e bifurkacionit kishte qëndruar në thatësi. I shteruar. Pa asnjë pikë uji. Në krahasim me vitet e kaluara, sivjet gjendja e bifurkacionit është shumë herë më e mirë. Ashtu shihet nga pamja, ashtu edhe thotë Kashtanjeva.

Por pavarësisht kësaj, ky fenomen ende ka nevojë për më shumë përkushtim. Po, për arsye se shtrati i lumit nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme. Përkundrazi, ai gati se është mbyllur, rrëfen Kashtanjeva tutje.

“Gjendja është e mirë, por duhet të rregullohet se ka pengesa ende, duhet të hapet shtrati se është mbyllur. Duhet të intervenojnë se kështu mund të mbyllet i tëri”, shton tutje ai.

Afër bifurkacionit, mulliri 600-vjeçar

Përpos lumit i cili padyshim mbetet një ndër mrekullitë më të bukura të Kosovës, afër tij gjendet edhe një mulli i vjetër qindravjeçar. Ky mulli, me anë të ujit punonte para shumë vitesh. Në të njëjtën mënyrë punon edhe sot.

Brezat ndërrohen, mulliri vazhdon të jetojë. Vitet kalojnë, mulliri mbetet i njëjti. Për hiç më pak se gati 6 shekuj.

“Mulliri është qe afro 600 vjet, babai im ka punuar këtu prej vitit 1926 si fëmijë vetëm për ta siguruar bukën, si punëtor.  Kështu, kohë pas kohe dhe është bërë pronar. Tash ne e kemi trashëgimi prej babait”, tregon Kashtanjeva.

E sa i takon bifurkacionit, ai ka bërë lutje në drejtim të Komunës së Ferizajt e Ministrisë së Ambientit për një intervenim në shtratin e lumit.

Se bifurkacioni është një mrekulli dhe pasuri e madhe e Republikës së Kosovës thotë edhe Skënder Zeqiri, banor i fshatit Nerodime.

“Është pasuri e Kosovës. Komuna shumë pak është kujdesur, çka e kanë pasur një rregullim aty, njëfarë investimi të vogël para tri-katër vjetëve, tash kohën e fundit s’është kujdesur askush për të. Ka qenë i thatë”, shprehet ai.

Duke e cilësuar si një fenomen tejet të rrallë, Zeqiri thotë se qeverisja komunale duhet të  investojë në këtë fenomen.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Komunës së Ferizajt kanë thënë se bifurkacioni është funksional dhe se mirëmbajtja e lumit bëhet vazhdimisht.

“Fenomeni i bifurkacionit është funksional. Rrjedha e ujit shkon normalisht në të dyja pjesët e lumit, ndërsa e kemi edhe një kompani,“Enisi”, për mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve, e cila kohë pas kohe e bën pastrimin e rrjedhave. Mirëmbajtja bëhet vazhdimisht”, ka deklaruar për “Zërin”, Minir Haxhimusa, zyrtar i Mjedisit në këtë Komunë.

Bifurkacioni i lumit Nerodime është i mbrojtur si Monument i Natyrës më Rëndësi të Veçantë. Kështu ka deklaruar Fadil Bajraktari nga Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit.

Ai ka thënë se Ministria në fjalë ka nënshkruar me Komunën e Ferizajt një marrëveshje për zgjerimin e shtratit të lumit.

“Për funksionalizimin e bifurkacionit të lumit Nerodime MMPH-ja dhe Komuna e Ferizajt kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëfinancimin e projektit për “Funksionalizimin e bifurkacionit të lumit Nerodime. Me këtë projekt parashihet zgjerimi i shtratit të lumit”, ka shtuar ai.

Mirëpo, Komuna e Ferizajt ka qenë ajo që, siç thotë ai, nuk i ka përmbushur detyrat e saja.

“Në këtë rast Komuna e Ferizajt ende nuk i ka përmbushur obligimet që parashihen me marrëveshjen e mirëkuptimit. Pasi që Komuna e Ferizajt t’i përfundojë procedurat e parapara me marrëveshje, MMPH-ja do të bëjë zotimin e mjeteve për realizimin e këtij projekti”, ka përfunduar Bajraktari.