Kosova dominon Danimarkën, por “harron” minutat shtesë

Paraqitja në Ligën e Kombeve e Kosovës nuk ishte një rastësi dhe kjo u dëshmua qartësisht mbrëmjen e sotme, ku në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, “Dardanët” u përballën në një miqësore me Danimarkën.

Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes arriti të përballet si e barabartë me nordikët, madje në momente të caktuara u shfaq dukshëm më superiore, ndonëse fati nuk ishte në favor të saj dhe sfida përfundoi në barazim 2-2.

Kosova zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të, kur qendërmbrojtësi Amir Rrahmani kërceu më shumë se të gjithë në zonë dhe shënoi me një goditje të bukur me kokë, duke çuar skuadrën në dhomat e zhveshjes, me epërsinë e një goli.

Barazimi i danezëve erdhi në pjesën e dytë, kur Shala shkaktoi një 11-metërsh të pafat, pasi rrëshqiti në zonë dhe mori edhe këmbën e kundërshtarit, ndërsa Ujkani nuk arriti të ndalë goditjen e Cristian Eriksen.

Megjithatë vetëm 3 minuta më vonë, Kosova ndërtoi një aksion model, me protagonistë Arbër Zenelin dhe Bersant Celinën, ndërsa ishte pikërisht ky i fundit, që shënoi për herë të dytë në portën e Danimarkës, duke rikthyer avantazhin.

Kur dukej se gjithçka do të mbyllej me fitoren e “dardanëve”, një shpërqendrim i tyre në minutën e parë shtesë, bëri që Hojbjerg të gjendej i lirë dhe të mposhtte Samir Ujkanin për herë të dytë, duke vulosur barazimin e sfidës.

Ky ishte testi i parë për 2019-ën i Kosovës, që vetëm 3 ditë më vonë do të përballet me Bullgarinë në ndeshjen e parë eliminatore të Euro 2020-ës.

SHPËRNDAJE