Ministria e Arsimit në Kosovë vendosi që javën e ardhshme të fillojë pushimi pranveror për nxënësit e ciklit parauniversitar.

Ministrja Arbërie Nagavci tha në një postim në Facebook se pushimi pranveror do të fillojë më 6 prill, 2021, dhe do të përfundojë më 8 prill, 2021.

Datat 5 dhe 9 prill janë festa në Kosovë, ndaj i bie që pushimi pranveror të zgjasë një javë të plotë. Mësimi në arsimin parauniversitar do të rifillojë nga data 12 prill 2021.

Nagavci tha se vendimi për pushimin është marrë me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pushimi i pranverës për të gjitha nivelet e arsimit para universitar është mirëpritur nga përfaqësuesit e prindërve.

Drejtoritë arsimore të vendit dhe mësimdhënësit ndërkohë që ekspertët thonë se pavarësisht se ky pushim është i nevojshëm për nxënësit, shkakton një ngecje në arritjen e përmbushjes së plan-programit të këtij viti akademik. Kosova, javët e fundit, po përballet me raste në rritje të të infektuarve me koronavirus.

Të mërkurën, autoritetet shëndetësore raportuan për 923 raste të reja pozitive, që është shifra më e lartë ditore e raportuar gjatë gjithë këtij viti.