Kjo është bërë e mundur falë rezultateve pozitive në vitet e fundit. Në fazën e fundit kualifikuese do të garojnë 32 Kombëtare që do të ndahen në tetë grupe. Kosova do të synojë hapin e ardhshëm, përkatësisht kualifikimin historik në kampionat evropian. Kualifikimi arrihet duke u renditur në njërën nga dy vendet e para në grup, por është i mundur edhe prej pozitës së tretë në grup. Shumë varet nga shorti që do të tërhiqet më 16 qershor nga ora 17:00.
Direkt në Evropian kualifikohen Hungaria e Sllovakia si nikoqire e po ashtu Spanja si fituese e Euro 2020 dhe Kroacia si nënkampione. Përmes kualifikimeve do të caktohen 20 kombëtaret tjera pjesëmarrëse. Ndeshjet e para do të luhen më 4 e 5 nëntor të këtij viti, kurse menjëherë më 7 e 8 nëntor janë ndeshjet e dyta. Ndeshjet tjera luhen vitin e ardhshëm, deri në fillim të majit.

Në short Kosova do të jetë në vazon e katërt së bashku me Finlandën, Italinë, Turqinë, Izraelin, Estoninë, Greqinë dhe Ishujt Faroe. Në vazon e parë janë Norvegjia, Suedia, Danimarka, Gjermania, Franca, Sllovenia, Çekia dhe Islanda. Në vazon e dytë janë Austria, Bjellorusia, Portugalia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Rusia, Mali i Zi, Holanda.

Zvicra, Lituania, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, Ukraina, Letonia, Polonia e Belgjika janë në vazon e tretë për shortin e 16 qershorit.