Kosova mundi 2-1 Çekinë në “Fadil Vokrri”, duke treguar se është një skuadër me karakter dhe dinjitet. Golat e Muriqit dhe Vojvodës zhvlerësuan finalizimin e Schick, që realizoi i pari në këtë sfidë për miqtë.

Përfaqësuesja e drejtuar nga Challandes tashmë merr kryesimin e Grupit A me 8 pikë (dy fitore dhe dy barazime dhe mund ta rrëshqasë në vendin e dytë nëse Anglia mposht Bullgarinë në sfidën e orës 18:00.

Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Sa i përket kronikës, duhet pranuar se “Dardanët” patën edhe fatin me vete, pasi kundërshtarët çekë krijuan shumë situata të vështira në portën e Muric, sidomos në fundin e takimit, kur u shmangën gola thuajse të sigurt.

Çekia e e vuri në presion Kosovën që në minutat e para, derisa në të 16-tën, Schick, me një goditje të zgjuar, mposhti portierin Muric.

Vetëm 4 minuta zgjati epërsia e miqve, pasi Muriqi, i shërbyer nga Rashani, ngriti peshë “Fadil Vokrrin”. Minuta të mira në vazhdim për Kosovën, por pjesa e parë u mbyll në ekuilibër 1-1.

Pjesa e dytë nisi më një rast të mirë për Çekinë, por Hadërgjonaj shmangu golin mbi vijën fatale.

“Dardanët”, të shtyrë edhe nga publiku I mrekullueshëm, fituan më shumë besim në lojë, derisa në minutën e 66-të Vojvoda, shfrytëzoi më së miri krosimin e Berishës për golin e një fitoreje historike, që mund të rezultojë vendimtare për për kualifikimin e mundshëm të Kosovës.