Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe se konstatoi se presidenti i Republikës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Ky vendim vjen, pasi vota e Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e qeverisë “nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

“Marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas Kushtetutës, atëherë presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 21 dhjetor.

Më vendimin e Gjykatës thuhet se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese thotë se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

Qeveria Hoti u votua më 3 qershor, pas rrëzimit të qeverisë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Mocioni i mosbesimit u ngrit nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës. REL