Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar pas mbledhjes më kryetarët e komunave që e zhvilloi virtualisht për të marrë mendimin e tyre për zbatimin e masave që duhet të merren për parandalimin e pandemisë Covid-19.

Ai tha se ka njoftuar ata që duhet ta konsiderojnë shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, njofton Klan Kosova.

“I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”.

“I falënderoj kryetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e covid-19 dhe për propozimet e tyre për masat shtesë që duhet të marrim në javët në vijim për tu ulur numri i të prekurve”.

“I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj”.

Hoti tha se do të duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë.

“I falënderova komunat për mbështetjen që i kanë dhënë policisë me logjistikë gjatë kësaj kohe”.