Në Kujdesin Intensiv të Klinikës Neonatologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka lindur një foshnje me dy gjini.

Lidhur me këtë rast drejtori i Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, në repartin e të cilit po mbahet foshnja në përkujdesje intensive, tha në një konferencë për media se edhe pse është një rast i rrallë, është i dyti që ndodhë brenda këtij viti në Kosovë.

Gojnovci tha se foshnja ka lindur para kohe dhe peshon 995 gram.

“Është duke u trajtuar si sindroma hiperplazike e lindur e gjëndrës mbiveshkore. Në këto momente janë marrë analizat dhe janë duke u bërë konsultat e nevojshme me mjekë specialistë nga klinika e Radiologjisë, Kirurgjisë së Fëmijëve, specialistë nga gjenetika dhe specialistë nga Klinika e Pediatrisë gjegjësisht endokrinologu”, tha Gojnovci.

Ai theksoi se ky është rasti i dytë vetëm këtë vit, rast “i cili i jep ndryshime edhe organeve gjenitale”.

Gojnovci tutje shpjegoi se kjo sindromë ka ndryshime gjenetike kromozomale për këtë shkak kanë thirrur mjekë specialistë për këtë çështje.

“Nëse vërtetohet kjo sindromë atëherë me terapi, sipas të gjitha gjasave do të shkojë mirë deri në shërim”, tha ai.

“Për momentin foshnja po qëndron në repartin intensiv me terapi, duke u asistuar me ventilim mekanik, meqë ka nevojë për përkrahje respiratore, për shkak se mushkëritë i ka të papjekura”, tha Gojnovci.