Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani paralajmëroi rikthimin e mundshëm të masave izoluese nëse vazhdon gjendja aktuale në vend.

Shtimi i fortë i rasteve me koronavirus, ka bërë që autoritetet vendase të mos e përjashtojnë këtë mundësi. Në Kosovë vetëm gjatë ditës së dielë u regjistruan 40 raste të reja me COVID-19. Nisur nga kjo situatë, autoritetet shëndetësore u bënë thirrje qytetarëve për respektimin e masave mbrojtëse: si ruajtja e distancës fizike, mbajtja e maskave si dhe higjiena personale. Sipas të dhënave të fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus atje në 13 mars, janë regjistruar 1,234 infektime dhe 31 vdekje.

Aktualisht për ata që kalojnë kufirin nuk duhet të paraqesin test negativ por obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore në pikat e kalimeve kufitare dhe t’i zbatojnë masat e mbrojtjes kundër Covid-19. Është hequr edhe orarin për ndalimin e lëvizjes . Deri me 20 qershor, do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do reflektohen masat e reja lidhur me Pikat Kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën së Kosovës.