Në Mitrovicë kanë filluar punimet për prishjen e murit që ndante qytetin në afërsi të urës së Ibrit. Lajmi është raportuar nga mediat Kosovare, që e faktojnë ngjarjen edhe me pamje. Prishja e murit u bë e mundur pas marrëveshjes të nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, ambasadori amerikan Greg Delawie dhe kryetari i veriut të Mitrovicës Goran Rakiç.
Shembja e plotë e murit pritet të përfundojë me 5 shkurt. Aty parashikohet një mur i vogël që do të mbrojë shëtitoren që pritet të ndërtohet sipas projektit të bashkisë së Veriut të Mitrovicës.
Në afërsi të murit janë parë edhe policë civilë që po e përcjellin situatën nga afër. Gjithashtu janë parë edhe pjesëtarë të UNMIK-ut duke filmuar fillimin e punimeve për rrëzimin e murit.