Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se ndryshimi i modelit zgjedhor mund të pret deri në prag të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2024, shkruan Alsat.

Sipas tij, si fillim duhet hapur debat publik dhe formuar grupe pune nga të cilat do të dalë modeli më i mirë zgjedhor.

“Kam pikëpamjen time për modelin zgjedhorë dhe ajo duhet bërë përmes dëgjimit dhe debatit publik. Ky debat duhet organizuar nga grupet e punës në të cilat do të përfaqësohen partitë politike, por edhe ministritë të cilat janë kompetente për ndërhyrje në modelin zgjedhor, përfshi ekspertët, OSBE-ODIHR të cilat do t’i japin vërejtjet e tyre. Na duhet model zgjedhor i cili pasqyron përcaktimet e partive politike, kërkesat e qytetarëve dhe model i cili garanton zgjedhje të lira dhe demokratike”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Abrogimi i Qeverisë teknike sipas Kovaçevskit kërkon konsensus të plotë politik. Ai paralajmëron kushtin që ndryshimet të zbatohen vetëm nëse zgjedhjet mbahen në vitin 2024.

“Për faktin se Qeveria e Përzhinos ishte rezultat i konsensusit mes katër partive politike, njëherë duhet të bëhet edhe abrogimi i saj. Kjo nuk mund të bëhet me kërkesë të një partie, aq më pak kur një faktor politik ka kërkesë tjetër siç është Aleanca për Shqiptarët. Për këtë arsye duhet ulur dhe formuar grupe pune të cilat do të gjejnë zgjidhje në Ligjin për Qeverinë dhe do të vlen për zgjedhjet e vitit 2024”, u shpreh Kovaçevski.

Partitë e koalicionit zgjedhor me LSDM-në, kanë dhënë ultimatumin e tyre ndaj ndryshimeve në Kodin Zgjedhor deri në fund të muajit prill.

Kundër ndryshimeve në modelin zgjedhor nuk është deklaruar asnjë parti, por VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja si dy subjekte të cilat deri tani ishin kundër modelit zgjedhor me një njësi, kërkojnë konsensus të plotë mes të gjitha partive politike.

Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët kërkon të mos abrogohet Qeveria teknike, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, LSDM-ja dhe BDI-ja mbajnë qëndrimin se për një gjë të tillë më nuk ka nevojë. Ndryshimet në Ligjin për Qeveri janë vendosur në seancën e 10 shkurtit, ndërsa Kodi Zgjedhor do të gjendet në rend dite vetëm pas arritjet së konsensusit politik mes 4 partive më të mëdha./Alsat