Këshilli Qëndror i LSDM-së në seancën e së hënës në mbrëmje zgjodhi liderin e ri partiak Dimitar Kovaçevskin për mandatar të qeverisë së ardhshme.

“Detyra e parë e udhëheqësisë së re është të formojë qeverinë e re. Pres që qeveria e re të jetë gati kah mesi i Janarit, deri më 18 Janar, kurse para nesh kemi krizën energjetike, ekonomike, pandeminë, negociatat me Bullgarinë. Vlerësoj se këto sfida mund t`i tejkalojmë deri në vitin 2024 deri kur është mandati i Qeverisë. LSDM-ja fillon një pjesë të re të historisë”.

Kryeparlamentari Talat Xhaferi gjatë një takimi të fundvitit me mediat, njoftoi se Presidenti Stevo Pendarovski të mërkurën do t`ia besojë mandatin për Qeverinë e re, kryetarit të ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevskit, me çka nis afati kushtetues për dorëzimin e programit dhe përbërjes së re qeveritare.

“Pritshmëritë e mia janë se mandatari nuk do të shkojë deri në afatet e fundit, kështu që ka paralajmërime dhe mundësi që diku më 10 Janar eventualisht më 11 Janar të dorëzohet programi dhe përbërja e Qeverisë së re. Pritshmëritë, në bazë të asaj që ndjek kalendarin, janë datat 15 dhe 16 Janar – ditë e shtunë dhe e diel dhe më 16 Janar të votohet Qeveria e re kurse nga 17 Janari ministrat e rinj të jenë në detyrë”.

Që të zgjidhet qeveria e re, duhet të votojnë së paku 61 deputetë. Shumica e re parlamentare që udhëhiqet nga LSDM-ja, bashkë me BDI-në, Alternativën dhe PDSH-në, kanë 64 deputetë në Kuvend.