Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, të shtunën (15 janar) ka filluar debati për zgjedhjen e qeverisë së re, që do të zgjasë deri të dielën në mesnatë kur edhe pritet të votohet kabineti i ri qeverisës që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social Demokrate.

Në fjalimin para deputetëve, Kovaçevski tha se qeveria që ai do të udhëheqë ka një plan të qartë dhe të zbatueshëm për përballje me sfidat me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut, si kriza energjetike dhe pasojat e saj mbi standardin e jetesës së qytetarëve.

“Përballja me pasojat e pandemisë së koronavirusit dhe me krizën energjetike janë sfidat më të mëdha për rimëkëmbjen e ekonomisë vendore. Qeveria në fillim të mandatit do të hartojë një plan për të mbështetur popullsinë dhe ekonominë për ta kapërcyer me sa më pak pasoja krizën energjetike”, tha Kovecvski duke prezantuar programin e punës së qeverisë.

Ai në fjalimin e tij hodhi poshtë kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat sipas tij, nuk janë zgjidhje për problemet me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë zgjidhje, sepse qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta. Si shumicë e re parlamentare e morëm mesazhin nga qytetarët se duhet të punojmë më shumë që të kemi rezultate. Ne kemi mundësinë që për këto dy vite e gjysmë të përkushtohemi në problemet reale të qytetarëve”, ka theksuar Kovaçevski.

Sa i përket kontestit me Bullgarinë, Kovaçevski tha se “dy popujt duan miqësi ndërsa për të kaluarën mes dy vendeve duhet të vendosin historianët dhe jo politika. Për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, nuk duhet të bisedohet pasi janë çështje që i përkasin popujve”.

Alekandar Nikollovski nga VMRO DPMNE-ja opozitare tha se “qeveria për të cilët po diskutohet në Kuvend, nuk ka legjitimitet pasi nuk është zgjedhur nga populli, por Kovaçevski është caktuar si mandatar nga Zoran Zaev”.

Sipas Nikollovskit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza e rëndë ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike në të cilën ndodhet vendi.

“Mesazhi i opozitës në këtë seancë është se kemi nevojë të ballafaqohemi me popullin në zgjedhje parlamentare. Pa zgjedhje nuk ka qeveri me legjitimitet të plotë politik. Kjo është një qeveri e personazheve të vjetër që drejtojnë të njëjtat dikastere. Kjo qeveri nuk mund të miratojë një politikë të ndryshme dhe të mirë. Ne përballemi me të njëjtat politika dhe me të njëjtat probleme”, u shpreh Nikolloski.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në debat për Qeverinë e re

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të shtunën dhe të dielën do të zhvillohet debati për zgjedhjen e Qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Sipas Kushtetutës, debati parlamentar për zgjedhjen e Qeverisë së re zgjat dy ditë, ndërsa votohet në mesnatë. Qeveria zgjidhet me së paku 61 vota nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Qeverinë e re e përbëjnë Lidhja Social Demokrate dhe tri parti tjera politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).
Kabineti i ri qeveritar do të ketë 21 anëtarë; 17 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra.

Lidhja Social Demokrate do të ketë 12 anëtarë të Qeverisë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa.

Ministrat nga radhët e LSDM-së
Sllavica Gërkovska, zv.kryeministre për luftimin e korrupsionit

Bojan Mariçiq, zv.kryeministër për çështje evropiane

Fatmir Bytyçi, zv.kryeministër për çështje ekonimike

Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme

Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes

Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë

Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë

Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale

Goran Milevski, ministër i Pushtetit Lokal

Bisera Kostadinovska, ministre e Kulturës

Ministrat nga radhët e BDI-së
Artan Grubi, zëvendëskryemintër i parë dhe Ministër i Sistemit Politik

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme

Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës

Fatmir Besimi, ministër i FInancave

Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor

Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë

Ministrat nga radhët e Alternativës
Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë

Admirim Aliti, ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike

Xhemail Çupi, ministër pa resor, i angazhuar për diasporën