Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Brukseli sot njoftoi se Maqedonia e Veriut nuk e pranon propozimin francez ashtu siç është tani, për zgjedhjen e çështjes Shkup-Sofje, përcjell TV21. Kovaçevski tha se propozimi do të jetë i pranueshëm vetëm nëse ka formulime të qarta për gjuhën dhe identitetin maqedonas, ndërsa sipas tij çështjet historike nuk mund të jenë pjesë e kornizës negociuese me BE.

“Ne i kemi bërë të ditur qëndrimet tona dhe linjat e kuqe, në këtë kontekst dua të them se propozim që do të ishte i pranueshëm duhet ti garantojë elementet kyçe, formulim të qartë për gjuhën maqedonase në kornizën e bisedimeve dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kriteriume në kornizën e bisedimeve”, deklaroi Kovaçevski.

Kreu i Qeverisë tha se në kërkesat e Shkupit është që procesi për futjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës të bëhet pas nisjes së negociatave me BE-në.

“Bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para nisjes së procedurës për ndryshimet kushtetute për futjen e bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të forta edhe nga Bullgaria edhe nga BE se Bullgaria nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja jashtë asaj që do të dakordohet në kornizën e bisedimeve dhe protokollin bilaterale që ende nuk është miratuar në Bullgari, dhe gjithsesi duhet konsultime me institucionet e Maqedonisë së Veriut”, tha Kovapevski.