Tashmë është bërë e frikshme të shikohet data në kalendar gjatë muajit nëntor, sidomos kur afrohet ajo e 26-të.Kjo datë, po del të jetë e kombshme për popullin shqiptar, pasi, mu me 26 nëntor, për disa vite rresht, po ndodhin ngjarje të tmerrshme me humbje jete, që do mbesin gjatë në memorie, si kujtimet më të këqija të përjetuara.Nëse kthehemi para dy viteve, me 26 nëntor 2019, Shqipëria u godit nga një tërmet që finalen e kishte me 51 shqiptarë të vdekur, shumë të lënduar e shumë të pastrehë.Pak metra nga Shqipëria, 26 nëntori, por, kësaj radhe në vitin 2021, solli një tjetër tragjedi për shqiptarët që jetojnë në Kosovë.Mbrëmë në Gllogjan të Deçanit mbetën të vdekur 3 persona, si pasojë e gjuajtës me armë, në drejtim të një autobusi që barte nxënësë, dy prej të cilëve vdiqën, bashkë me shoferin në timon.. Syri.net Kosova iu sjell detaje për krejt cka ndodhi mbrëmjen e kaluar në Gllogjan të Decanit.

Një krim makabër mbrëmjen e kaluar ndodhi mbi autobusin që transportonte nxënës, duke lënë tre persona të vdekur dhe një të plagosur në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Shoferi i autobusit dhe dy nxënës, një djalë 17 vjeçar dhe një vajzë 18 vjeçare mbetën të vdekur nga ky sulm që tronditi gjithë vendin, e që dyshohet se u krye me kallashnikov nga një person i maskuar.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria e kanë konfirmuar vrasjen e tyre.

Por organet e rendit ende nuk kanë aritur që të identifikojnë sulmuesin.

Ata kanë thënë se hetimet po zhvillohet në disa pista.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se aktualisht janë dy ose tri pista në të cilat po punohet për zbardhjen e autorit të krimit që la të vdekur tre persona në Gllogjan të Deçanit.

“Të gjitha njësitet relevante janë këtu. Aktualisht i kemi dy ose tri pista në të cilat jemi duke punuar. Fatkeqësisht nuk mund të japim detaje sepse në pistat në të cilat po punojmë janë në fazë fillestare”, është shprehur Mehmeti.

Mehmeti tha se aktualisht janë duke u zhvilluar aksione në kërkim të të dyshuarit dhe po intervistohen persona që mund të kenë lidhje me rastin.

Ai tha se janë duke punuar në dy ose tri drejtime, ku sipas tij, i kanë dyshimet, por që është herët të flitet se a kanë ose jo person/a të dyshimtë.

“Jemi duke punuar në dy ose tri drejtime, ku i kemi dyshimet me bazë të caktuar por është herët të themi se kemi person/a të dyshimtë”, ka thënë ai.

Kush ishin viktimat?

Shoferi i autobusit dhe dy nxënës, një djalë 17 vjeçar dhe një vajzë 18 vjeçare mbetën të vdekur nga ky sulm që tronditi gjithë vendin.
G. Gjokaj, shoferi i autobusit
Ai është nga fshati Skivjan, ndërsa kompania e autobusit është “Erblini” me seli në Gjakovë.

Ndërsa, nxënësit dyshohet se janë: G. Mustafaj, 17-vjeçare dhe L. Hamzaj, 18-vjeçar. Ata kanë qenë nxënës së shkollë së mesme.

Per L. Hamzaj dhe G. Mustafaj reaguan edhe drejtoret e shkollave ku ata zhvillonin mesimet.

A kishte konflikt linjash të autobusëve?

Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Gjakovë, Flamur Bicurri, ka konfirmuar se Kompania “Erblini”, autobusi i së cilës u sulmua në Gllogjan të premten, ka operuar në vijën Gjakovë-Deçan, por edhe direkt për në Gllogjan.

Derisa në opinion është përmendur si pistë hetimi konflikti i shoferit të autobusit për linja autobusësh me dikë nga rivalët, drejtori Bicurri nuk ka mundur ta konfirmojë këtë.

“Nuk kam njohuri nëse ka patur konflikt me dikë për linja, të paktën unë nuk kam njohuri”, ka thënë shkurt ai.

Ngjarja në Deçan është akt terrorist?

Veton Elshani, zëvendëskomandant i Policisë në rajonin e Pejës, ka thënë se nuk ka arsye të besohet se të shtënat në Deçan, që morën jetën e tre personave, lidhen me ndonjë akt terrorist.

Sipas tij, më shumë ka mundësi që cak të ketë qenë dikush që ka qenë në atë moment në vend të ngjarjes.

“Nuk kemi ndonjë arsye të besojmë se kemi të bëjmë me akt terrorist apo sulm në tërësi në autobus. Ka mundësi që cak të jetë dikush specifik në atë vend. Një person i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Policia është në vendin e ngjarjes. Njësitet e krimeve të rënda janë në vendin e ngjarjes. Po hetohen të gjitha pistat. Të gjithë jemi në vendin e ngjarjes”, ka thënë Elshani.

Disa persona po intervistohen

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka njoftuar se disa persona në cilësinë e dëshmitarit po intervistohen nga forcat e rendit.

Ai këtë prononcim e ka dhënë për mediat prezente në Gllogjan, aty ku ndodhi vrasja e tre personave.

“Personat që po intervistohen janë dëshmitarë dhe kuptohet që të ardhmen mund të ndryshohet edhe cilësia”, ka deklaruar Isufaj.

I madh e i vogël reagoi për vrasjen makabre në Gllogjan

Menjëherë pas ngjarjes tragjike, erdhën reagime të shumta nga institucionet shtetërore, fytyrat publike e pothujase cdo shqiptarë.

Mediet ndërkombëtare raportojnë për rastin në Gllogjan ku u vranë tre persona
Lidhur me këtë rast kanë raportuar edhe mediet e mëdha ndërkombëtare si Reuters, Washington Post dhe AP News.

Reuters raporton se një person i maskuar kishte hapur zjarr drejt autobusit që po bartte pasagjerët gjithashtu edhe nxënësit e shkollave që po ktheheshin në shtëpi.

Agjencia amerikane gjithashtu citon edhe deklaratën ku Veton Elshani zëvendës-drejtor i policisë në Pejë tha se ishte vetëm një sulmues në këtë incident.

Ndryshe, ndonëse për rastin e sotëm të ndodhur në Gllogjan, sipas organeve shtetërore ende nuk dihen motivet, në Kosovë ka pasur disa raste me pasoja fatale të ndërlidhura me kompanitë e transporteve të udhëtarëve.

Në vitin 2015 kishte mbetur i vdekur pronari i një kompanie në stacionin e autobusëve në Skenderaj. Kjo vrasje kishte ndodhur për shkak të problemeve me linja autobusësh.

Edhe në vitin 2016, në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, pronari i kompanisë Mendi ishte vrarë nga pronari i një kompani tjetër të autobusëve, për shkak të problemeve të kahmotshme të linjave të autobusëve.