Shkrim nga Fatri Saliu 

Në debatet e shumta të këtyre ditëve mund të shihet një interesim i jashtëzakonshëm për ngjarjet në Turqi. Bile, nuk më habitë as fakti se shumë njerëz me më shumë ëndje flasin për rrjedhat politike atje se sa këtu ku jetojmë. Kjo edhe mund të arsyetohet, sepse në asnjë mënyrë nuk jemi të shtrënguar nga politika vendore për të shprehë mendimet lirshëm për një shtet tjetër, me të cilin, me gjasë na lidhin më shumë gjera si nga e kaluara ashtu edhe e tashmja, po pse jo edhe e ardhmja. Ajo që nuk më pëlqen është njëfarë antagonizmi që krijohet mes nesh për sende që janë pak më larg nesh, në fakt po të kishim vrull të këtillë për situatat e këtushme politike, moti do t’i kishim zgjidhë problemet shumëdimensionale që na tangojnë këtu ku jetojmë.

Po nejse, gjithmonë është më lehtë të debatosh për dikënd tjetër se sa për veten. Mendoj se njëherë e përgjithmonë duhet të vendosim të ecim në mënyrë demokratike sipas ndonjë parimi, qoftë edhe të pashkruar. Dilemën që gjithmonë e kam shfaqur ka të bëjë me sistemin demokratik që njerëzit e parapëlqejnë.

Unë gjithmonë kam promovuar vlerat demokratike ku sistemi është më i rëndësishëm se sa përfaqësuesi (disa e quajnë lider) i atij sistemi. Nisur nga ky postulat, më duhet të bëj një përshkrim të një rregulli që mua më pëlqen. Është saktësisht kohëzgjatja e postit të përfaqësuesit të një partie si pushtetari numër një. Në Amerikë dhe në Brazil (ndoshta edhe diku tjetër) ky post është i limituar në maksimum dy mandate. Në rastin e kryetarit paraprak brazilian ka pasë edhe kërkesë nga popullata që ai ta ndryshojë këtë rregull, por ai në mënyrë decide e ka refuzuar këtë, duke thënë se me këtë akt rrënohet bazamenti i demokracisë atje. Nga ana tjetër, jam më se i bindur se mbi 90% të shqiptarëve do të kishin dëshiruar që presidenti Clinton të vazhdojë edhe së paku dy mandate tjera .

Çka ndodhë në rrethinën tonë lidhur me këtë rregull të artë për mua. Prej kur mbaj mend për Malin e Zi është pikërisht Milo Gjukanoviq që është alfa e omega atje. Viktor Orbani assesi të ndrrohet nga pushteti. Menduh Thaçi është 20 e sa vjet në krye të PDSH-së. Ali Ahmeti pak më pak. Hashim Thaçi 17 vjet. Ramush Haradinaj githashtu. Të mos kishte vdekë Ibrahim Rugova po e njëjta gjë. Sali Berisha të mos flas. Edi Rama, hiq disa vjet të Fatos Nanos gjithashtu dinosaur. Vuçiqi dhe Gruevski siç e dijmë nuk bejnë përjashtim në këtë renditje.

Vijmë te Putini, dy mandate kryeministër dhe pastaj president me autorizime më të mëdha se kryeministri, pas ndryshimeve kushtetuese që i jetësoi vet.
E njëjta vlen edhe për Erdoganin, tash që u bë president dëshiron të ndryshojë Kushtetuën turke që ai si president të jetë mbi kryeministrin.
A nuk ju duket kjo mënyrë e veprimit si autoritarizëm që rrënon vlerat e mirëfillta të demokracisë, ku fuqia mblidhet rreth një personi e jo të një sistemi që jep rezultate pozitive (kjo në rastin e Turqisë).
Sidoqoftë, votimi është pjesa më e rëndësishme e demokracisë, por jo edhe i vetmi argument për zbatim efektiv të demokracisë. .

Do të kthehem në fillim të tekstit ku përmenda antagonizmin që ndanë njerëzit në pro-Erdogan apo pro Gylen, që është jashtë temës esenciale.
Tema kryesore do të duhej të ishte se ne si njerëz a do të përkrahim kultin e personalitetit apo sistemin që ka vlera të mirëfillta. Unë kisha dashur të them se AK Parti edhe me dikë tjetër do të kishte dhënë të njëjtat rezultate pozitive zhvillimore në Turqi. Në të kundërtën kam frikë se krijimi i kultit të personalitetit në vend të organizatës, shoqatës, partisë apo çfarëdo forme organizimi tjetër është i destinuar të dështojë dhe rrjedhimisht e çon shoqërinë në ecje regresive.

A nuk jemi ne këtu në Maqedoni shembulli më konkret për ngecjen në dekadën e fundit, gjithnjë duke u bazuar në kultivimin e kultit të personalitetit në vend të organizimit demokratik të mirëfilltë partiak?