“Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” (El Bekare:117)

Nga Afrim Tahiri

Të dashur besimtarë, motra e vëllezër,

Me shpirt i lutem Allahut Mëshirëplotë që, të na e pranojë agjërimin si dhe të gjitha ibadetet dhe lutje të cilat ia kemi kushtuar Atij përgjatë këtij Muaji të rahmetit! Pa dyshim, të gjithë jemi bindur se nuk ka gjë më madhështore se sa të marëdhërojmë këtë Muaj të Bekuar në të cilën gjendet një Natë e cila vlenë sa një jetë e tërë e çdo myslimani – Nata kur nisi të shpallet Kurani Fisnik!
Kaluam një muaj agjërim në “kushte lufte”, në gjendje të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalon e tërë bota, si pasojë e pandemisë nga KoronaVirusi Covid 19. Iu nënshtruam një protokoli që vlenë për mbarë botën e që për momentin është i vetmi “ilaç” që garanton mosinfektimin nga ky armik misterioz. Natyrisht, duke iu përshtatur këtij protokoli istitucional të domosdoshëm kaluam një Ramazan pa e shijuar atë kënaqësinë e të bërit iftar me anëtarët e familjes së gjërë, me miq e me shokë, pa e shijuar atë atmosferën para dhe pas faljes së teravive, gati deri në syfyr. Traditë e bukur kjo dhe shumë e vlerësuar nga myslimanët tanë.
Megjithatë, edhe këtë sfidë duhet kuptuar si sprovë nga Allahu xh.sh. Gjithçka vjen, ndodhë dhe ikë vetëm ashtu siç ka përcaktuar Ai dhe vetëm siç do Ai! Çdo sprovë që vjen prej të Madhit Zot, nuk duhet ta sfidojmë me kryeneçësi, por duhet të përballemi me urtësi, me mençuri, me lutje drejtuar Atij që të na ruaj sa më shumë nga pasojat e mundshme dhe të na nxjerrë në selamet me sa më pak dhembje e trishtim.
Motra e vëllezër, të dielën e kemi ditën e parë të Fitër Bajramit! Mjerisht, edhe këtë festë do të duhet ta kalojmë nën një regjim që e dikton emergjenca për të qenë sa më larg kontakteve fizike dhe për të mos qenë shpërndarës apo pranues i këtij virusi. Nuk ka hatërmbetje, nuk ka kryeneçësi dhe mosdisiplinë, sepse jemi në kushte pandemie!
Do të na mungojnë dhe, për këtë na vie shumë keq, shkëmbimi i urimeve, përqafimet me anëtarët e gjerë të familjes, me farefis, me miq e fqinjë. Distanca fizike, në këtë situatë pandemie, është më e rëndësishme dhe më vëllazërore se sa çdo përqafim e urim! Fatmirësisht, kemi teknologjinë që na mundëson, të paktën virtualisht, të jemi aty ku dëshirojmë, t’i këmbejmë urimet me të gjithë që i duam, që na donë.
Në krye të këtij mesazhi solla një ajet kuranor i cili shumë qartë na e tregon se cili është mysliman i mirë, si duhet të duket një mysliman i mirë. I mirë është vetëm ai mysliman që është i pajisur me virtytin e mirësisë! Ajeti qartë e definon mirësinë dhe thotë: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët…” dhe, vazhdon duke nënvizuar se mirësia është cilësi, edhe e atyreve që janë të durueshëm në kohën e skamjes, të sëmundjeve dhe luftërave. Ky durimtar në këto kushte pa dyshim që është mysliman i mirë, i devotshëm si për fe, ashtu edhe për komb e për shtet!
Në këtë kohë, të kësaj sëmundje vdekjepruese që na ka kapluar, motra e vëllezër, nuk duhet të ngushtohemi, të na vie shpirti në fyt, të egërsohemi apo të ndjejmë keqardhje se pse po e kalojmë një festë fetare islame në kushte aspak të përshtatshme me parimet dhe traditat tona islame por dhe kombëtare! Të mos i vizitojmë prindërit, fëmijët, vëllezërit e motrat, farefisin e gjërë për Ditën e Bajramit, vërtetë është fetarisht dhe kombëtarisht e papranueshme. Por, ja që Allahu Fuqiplotë na porositë që të jemi durimtarë në kohë sëmundjesh! Sepse, duke qenë këmbëngulës në zbatimin e traditave fetare e kombëtare në kohe pandemie, ne mund të bëjmë edhe mëkat të pafalshëm – të bëhemi shkak i përhapjes apo pranimit të virusit, pa vullnetshëm të bëhemi aleatë shumë të përshtatshëm të kësaj pandemie mortale.
Kurse prej nesh kërkohet të jemi shpresa, gëzimi, lumturia e çdo skamnori, të varfëri, hallexhiu, jetimi. Pra, të mos jemi transmetues të trishtimit e dhembjes, por, të jemi shembulli unik i mirësisë, i dashurisë, i humanes, i mëshirës! Si të tillë do ta ndjejmë më fuqishëm Ditën e Fitër Bajramit dhe, për këtë devotshmëri do të ndjehemi krenar e shpitërisht më të forë. Zoti na e shtoftë dhe na e përforcoftë besimin në Të. Amin!

Motra e vëllezër –
E gëzofshim për shumë mote Fitër Bajramin! Paçi bekimin e Allahut Mëshirëplotë.

(Autori është drejtues i LMR-BFI)