Kritikat më të ashpra për vendin në të gjitha raportet e BE-së vijnë në adresë të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në raportin e fundit, Komisioni Evropian nënvizoi se sistemi gjyqësor shënon ngecje, ndërsa Gjykata Penale është pengesa kryesore e Prokurorisë Speciale, njofton Alsat M.

Edhe në raportin e Pribe-së përmenden mungesat në të cilat duhet punuar. BE-ja ka konstatuar edhe se prioritetet urgjente reformuese nuk janë zbatuar. Para dy viteve, Pribe në raport theksoi se avancimi i gjykatësve në pozita më të larta varet nga politikanët. Grupi i ekspertëve që e përpiloi raportin ka dhënë rekomandime për përmirësimin e gjendjes së keqe në gjyqësor.

Në raportin e Pribes thuhet:

“Me qëllim që të sigurohet pavarësia e sidomos mungesa e ndikimit politik në vendimmarrjen e Prokurorisë dhe Gjyqësorit, emërimi dhe avancimi i gjykatësve dhe prokurorëve do të depolitizohet.”

Ish kryetari i Supremes, Dane Ilijev vlerëson se patjetër të departizohet gjyqësori dhe të zbatohen rekomandimet e Pribes. Sipas tij, hapi kryesor është që të japin llogari të gjithë ata që kanë kontribuar që gjyqësori të jetë në këtë gjendje.

Gjyqësori po ngec, këtë e sheh secili. Ngjarjet që po ndodhin, vendimet katastrofale janë pjesë e këtij konstatimi. Kjo mund të pengohet vetëm me luftë energjike kundër disa individëve, anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Këshillit të Pakurorëve, të mbajnë përgjegjësi pasi kanë votuar kuadro të një partie politike- tha Dane Ilije, ish kryetar i Supremes.

Iliev konsideron se gjendja në gjyqësor është dëshpëruese. Nëse më herët ishte prestigj të qenit gjykatës, sot është turp të thuhet se dikush punon në gjyqësor të këtillë.

Që të jeni gjykatës, ishte respekt, kishte karrierë maksimale. Me gjendjen momentale, gjyqësori ka zbritur në zero. Është turp të thoni se jeni pjesë e një sistemi që është në këtë nivel– shtoi Dane Ilije.

Politizimi i përzgjedhjes së gjykatësve u dëshmua edhe përmes bisedave të përgjuara. LSDM-ja përmes bombave publikoi se në përzgjedhjen e gjykatësve kryesorë kanë qenë ish ministrja e brendshme Gordana Jankulovska dhe ish drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov.