Shkruan: Flaka SURROI

Thaçi mësyu që ta rrëzonte Kurtin. Arsyet do të kenë qenë të shumta, porse duket se ajo më e madhja qe se çështjen Kurti e shndërroi në luftë personale. Pos që Kurti do ta qiste në hije me elokuencë e mençuri, do t’ia qiste mbi sipërfaqe edhe shumë gjëra të tjera të këqija që janë akumuluar prej kohës kur Thaçi me partinë e tij e kishin marrë pushtetin në këtë vend

Porse, duke ditur se Kushtetuesja njëherë kishte vendosur t’ia akomodonte dëshirat Thaçit, askush nuk e përjashton mundësinë që këtë ta bëjë sërish, posaçërisht kur merret parasysh fakti se këta gjykatës kryesisht nuk janë zgjedhur për profesionalizëm, sa për simpati partiake e interesa grupore.

Ky ishte ndër paragrafët e fundit të kolumnës së javës së shkuar – dhe, për fat të keq, doli e vërtetë.

Aktgjykimi i ri Kushtetueses, apo më mirë thënë përmbledhja e tij, doli të enjten mbrëma vonë, thuajse afër mesnatës, duke e pasqyruar më së miri natyrën e punëve shtetërore në këtë vend – që zhvillohet përherë si me kontrabandë.

Nata e kishte prishur koalicionin Guns and Roses; nata e kishte formuar Qeverinë e 2017-s; nata kishte qenë zgjedhur për shfuqizimin e dështuar të Speciales; nata e rrëzoi Qeverinë më afatshkurtre të Kosovës dhe tash nata i jep të drejtë atij që me vetëdije e ka shkelur Kushtetutën, për shkak se e ka ditur se në Kushtetuese nuk ka kush e shpall shkelës. Shkelja e cila do të vërtetohej, do ta shkaktonte një krizë politike që do të sillej rreth figurës së tij. Mosvërtetimi i shkeljes dhe interpretimi në terma abstraktë të përkufizimeve gjuhësore që tash shndërrohen në normë nuk është që e shpëton Kosovën nga kriza. Përkundrazi, do ta fusë në një krizë edhe më të thellë, me shpresë se nuk do të bëhet e dhunshme.

Shansi i humbur

Kushtetuesja e humbi shansin për ta përmirësuar gabimin e vet nga 2014-a dhe për të sjellë njëfarë rendi më normal kur bëhet fjalë për formimin e Qeverisë. Tash po del më se evidente se njëri nga faktorët më të fuqishëm që ndikojnë në brishtësinë e institucioneve ekzekutive qe sa vjet, është pikërisht Kushtetuesja.

Interpretimet, në fakt krijimet e normave që i bën, në emër të saktësimit të tekstit të munguar kushtetues, janë sui generis. Si të tilla, nuk do të befasohesha po qe se në të ardhmen jo të largët do t’u shërbejnë universiteteve me nam për të treguar se si NUK duhet shkruar e as interpretuar tekste kushtetuese. Apo edhe t’u shërbejë fakulteteve të letërsisë për të dëshmuar se ekziston edhe letërsia kushtetuese – aty ku gjithçka përcaktohet me fraza e hamendësime që tingëllojnë si shkrim romani.

Sido që të jetë – vendimi doli. Dhe doli asisoj që ia mohoi Kosovës të drejtën për të hyrë në rendin e shteteve normale që i krijojnë qeveritë ashtu siç është dashur të jetë bërë më 2014-n, por që në atë moment, nuk i kishte shkuar për shtati Thaçit.

Ia mohoi Kosovës nisjen nga e para me këso procedurash – ku qeveria do të formohej ashtu siç e kishte përcaktuar Kushtetuta ende pa u prekur nga “mendjet e ndritura” të Kushtetueses, e që kjo të ndodhte pas zgjedhjeve të reja.

Ia mohoi Kosovës të drejtën që ta ketë një periudhë më normale të këndelljes pas pandemisë që na ka qitur të gjithë përtokë.

Fituesi absolut

Fituesi më i madh i gjithë këtyre makinacioneve është, pa dyshim, Hashim Thaçi. Sa është i padijshëm për ta udhëhequr shtetin dhe për të zhvilluar negociata ku ofron territore e harta në këmbim të shpëtimit të lëkurës së vet, aq është mjeshtër për ta manipuluar krejt një shtet që t’u akomodohet interesave të tij.

Krejt mjeshtërinë e manifeston me lëvizje të atilla që krijojnë kaos të përhershëm në Kosovë. Që nga koha kur ishte zgjedhur kryeministër të parën herë, i shpërndau njerëzit e vet gjithandej; vuri nën kontroll policinë, gjyqësinë dhe krejt ato që kishin nën menaxhim asete dhe mjete të mëdha financiare. Herën e dytë kur e mori mandatin, i nisi negociatat me Serbinë pa e pyetur kë, e nënshkroi marrëveshjen e Zajednicës dhe doli në pah, kishte qenë aktor jo pak i rëndësishëm i aferës Pronto. Herën e tretë nuk doli të bëhet kryeministër, porse ia siguroi vetes mandatin e kryetarit të shtetit, falë votave të LDK-së, të cilën më pas e hodhi si leckën. Dhe, atëbotë, e shtyu deri në fund precedentin e 2014-s nëpërmjet Kushtetueses.

Me ta marrë postin e kryetarit, vazhdoi të merrej me negociatat, edhe pse pa asnjë autorizim nga askush. Kur më në fund doli një interpretim i Kushtetueses për delegacionin shtetëror për negociata, iu bë e qartë se nuk mund të merrej me negociata, sepse kjo ishte prerogativë e ekzekutivit – nuk ia vuri veshin, dhe vazhdoi të endej lart e poshtë, derisa nuk nisi pandemia.

Rezultatet e zgjedhjeve sollën një ndryshim në dukje dhe një premtim edhe nga LDK-ja se do të ketë ndryshim qeverisjeje, larg nga përvoja paniste. Porse nuk ndenji rehat, dhe në mesin e atyre që nuk pajtoheshin me frymën e re, së paku deklarative, në LDK i gjeti piunët me të cilët e ndërtoi skenarin që e mori këtë formë, sepse nuk mund ta quaj epilog ende, të enjten mbrëma.

Mësyu që ta rrëzonte Kurtin. Arsyet do të kenë qenë të shumta, porse duket se ajo më e madhja qe se çështjen Kurti e shndërroi në luftë personale. Pos që Kurti do ta qiste në hije me elokuencë e mençuri, do t’ia qiste mbi sipërfaqe edhe shumë gjëra të tjera të këqija që janë akumuluar prej kohës kur Thaçi me partinë e tij e kishin marrë pushtetin në këtë vend. Dhe duket se mu përpjekja për pastrimin e Kosovës nga shumë defekte të vetimponuara për interesa të ngushtë, ka paraqitur thelbin e kësaj që e kemi jetuar në këta gjashtë-shtatë muajt e fundit.

LDK-ja dëshpëruese

Dëshpërimi më i madh për votuesit, pa asnjë dyshim, është LDK-ja dhe ndryshimi i menjëhershëm i qëndrimit karshi një programi të përbashkët që synonte ndryshimin e aq shumëkërkuar. Jam e sigurt se shefat e kësaj partie nuk do ta pranojnë kurrë, porse është evidente se sërish kanë rënë në grackën e Thaçit. U është premtuar posti i kryeministrit, dhe LDK-ja me lehtësinë e madhe nuk iu kundërpërgjigj kësaj oferte me kandidaten që ua solli gjithë ato vota, por e kontrabandoi atë që në zgjedhjet e parakaluara ishte opsioni më i plogësht që kishin për t’u ofruar votuesve.

E luajtën lojën mirë, ashtu siç ua dha instruksionet Thaçi. E rrëzuan qeverinë ku vetë bënin pjesë, me ndihmën e partive opozitare rend, dhe u bënë gati për ta thirrur seancën për emërimin e Hotit kryeministër, sipas skenarit: dekreti i Thaçit doli pasdite më 30 prill dhe këta dy orë më vonë depozituan kërkesën për seancë më dt. 2 maj. Fatmirësisht, Kushtetuesja e parandaloi përkohësisht një kaos, i cili do të na ndodhte midis pandemisë.

Tash e ka sjellë veten në situatën kur për formimin e qeverisë, do të varet nga Nisma e AAK-ja, minoritetet joserbe dhe Lista Srpska, me të cilën nuk e dimë as çfarë është marrë vesh për të llogaritur në votat e tyre. Kjo, meqë PDK-ja thotë se nuk do ta votojë këtë qeveri, edhe pse ia mundësoi LDK-së që tash, pas vendimit të Kushtetueses, ta krijojë në qeveri të re, po qe se i bën numrat.

Me një qasje të mençur, PDK-ja po rri anash dhe po punon në freskimin e radhëve të veta, asisoj që të forcohet për zgjedhjet e ardhshme, që do të ndodhin shumë më shpejt seç e parasheh ligji. E kjo është një punë që LDK-ja nuk e ka bërë dhe që reflektohet pikërisht në veprimet të cilat i ka shpërfaqur që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të tetorit. Dhe e deshi kjo parti apo jo, kjo përfundimisht do t’i kthehet me zvogëlimin e përkrahjes politike, posaçërisht meqë u dëshmua si parti që nuk i zihet BESË.

* * *

Thaçi do ta synojë mandatin e dytë për kryetar shteti dhe është afër që ta arrijë qëllimin, po qe se tashmë e ka hequr nga rendi i ditës aktakuzën eventuale nga Specialja. Mandati i skadon në prill 2021, porse zgjedhja duhet të ndodhë diku nga shkurti.

Ajo që do t’i nevojitet është që Qeveria t’i realizojë disa projekte “të rimëkëmbjes”, për të treguar se zgjedhjen e marionetave e ka pasur të duhurën; që kjo qeveri e re ta kalojë në Kuvend Ligjin për buxhetin për 2021-n aty nga fundi i vitit dhe që në shkurt të sigurohen bile 61 vota që ky të rizgjidhet kryetar shteti edhe për pesë vjet. Dhe, dikur, nja dy a tri javë më vonë, t’i tërheqë edhe ca penj dhe që ta rrëzojë Qeverinë me në krye LDK-në, për të shkuar në zgjedhje të reja. Me këtë rast do të zgjedhë ta zbatojë aktgjykimin e 2014-s dhe ta çojë Kosovën në zgjedhje.

Vendimi do të hyjë në fuqi dhe ligjërisht, të gjithë do të duhej ta zbatonin, sado që ky vendim i ka dëmtuar rëndë themelet juridike të këtij shteti. Aktgjykimi i 2014-s ka qenë i gabuar dhe i keq, e për këtë të riun duhet menduar shumë për t’ia gjetur një atribut negativ për ta përshkruar. Porse përfundimisht është i dëmshëm dhe pasojat e tij sërish do t’i vuajmë ne qytetarët.