Kriza në Maqedoni, Nimetz: Situata e rrezikshme

Situata në maqedoni është e rrezikshme. Kështu e ka përkufizuar krizën e vendit fqinj ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit të Maqedonisë, Matthew Nimetz.

Në një intervistë për radion “Maqedonia e Lirë”, Nimetz tha se shpreson që kjo situatë të zgjidhet dhe tejkalohet në rrugë paqësore dhe demokratike në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

“Jam i shqetësuar për situatën në Maqedoni. Ajo që mund të theksoj në këtë moment është se situata në vend ndodhet në një rrezik aq të lartë sa mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë. Shpresoj që politikanët dhe populli të përballen me të gjitha problemet me qëllim tejkalimin e tyre.

Por nga ana tjetër, liderët vendas duken kokëfortë në qëndrimet e tyre. Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov ka mbështetur hapur për herë të parë idënë e ish kryeministrit Nikola Gruevski për zgjedhje të reja.

Në një intervistë për të përditshmen hungareze “Magyar Hirlap”, Ivanov thotë se vetëm zgjedhjet e parakoshme do ta nxirrnin vendin nga kriza.

Sipas tij, në këto zgjedhje, qytetarët do të kenë mundësi të vendosin me votë edhe për temat të cilat u imponuan në periudhën pas-zgjedhore.

Kurse sa i përket shkakut të thellimit të krizës, presidenti maqedonas vijon të thotë se ka qenë platforma shqiptare, si kusht për formimin e qeverisë së re.

“Si president nuk mundem dhe nuk do të lejoj që dikush të bëjë tregti me Kushtetutën dhe interesat shtetërore të Maqedonisë dhe të luaj me ndjenjat e qytetarëve të vendit tim”

Ndërkaq të martën pritet takimi i krerëve të grupeve parlamentare të partive politike në Maqedoni, me qëllim përcaktimin e seancës konstituive për zgejdhjen e kryetarit të parlamentit.