Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti në Izrael për bisedimet historike me vendet arabe.
Diplomatët kryesorë të SHBA-ve, Izraelit, Marokut, Egjiptit, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe do të takohen në shkretëtirën Negev gjatë 48 orëve të ardhshme.
Vizita e Blinken-it është ndalesa e parë para një udhëtimi që do ta çojë atë gjithashtu në Bregun Perëndimor, Algjeri dhe Marok.
Zyrtarët amerikanë thonë se dy çështje të tjera kyçe janë në agjendën e udhëtimit.
Fillimisht do shqyrtohet shuarja e shqetësimeve të shtetit hebre për një marrëveshje bërthamore me Iranin.
Në tryezë do të jetë dhe diskutimi i mungesës së mundshme globale të grurit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë SHBA-të dhe Irani janë në fazat përfundimtare të negociatave për një ringjallje të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit të vitit 2015.
Ky i fundit synonte të parandalonte Teheranin nga zhvillimi i kapacitetit të armëve bërthamore.
Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump u largua nga marrëveshja në mënyrë të njëanshme në vitin 2018.
Zyrtarët amerikanë thonë se arritja e një marrëveshjeje varet nga një ose dy çështje kyçe, por se Teherani duhet të bëjë “zgjedhje të vështira” nëse dëshiron një marrëveshje.
Por marrëveshja e mundshme shqetëson Izraelin dhe aleatët e SHBA-ve në Gjirin Persik, të cilët e shohin Iranin si një kërcënim.
Në shkurt, kryeministri izraelit Naftali Bennett tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga perspektiva e një marrëveshjeje të re bërthamore.
Përpara bisedimeve, Bennett i dërgoi një mesazh të rrallë fuqisë rajonale të Arabisë Saudite, duke shprehur “dhimbjen” për një valë sulmesh nga rebelët jemenianë të mbështetur nga Irani.
“Ky sulm është një provë tjetër se agresioni rajonal i Iranit nuk njeh kufij”, shkroi Bennett në Twitter të shtunën vonë.