Kryeministri Dimitar Kovaçevski, dëshiron të besojë se bëhet fjalë për një lëshim të paqëllimshëm, pasi dje Kryeministri bullgar Kiril Petkov preu fotografinë e takimit të tyre të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Qysh dje pres-shërbimi qeveritar bullgar tha se bëhet fjalë për një lëshim të paqëllimshëm. Ne me Kryeministrin Kiril Petkov patëm një komunikim të shkëlqyeshëm në Konferencën e Mynihut. Dua të besoj se përgjigja që është dhënë nga pres-shërbimi i qeverisë bullgare është e vërtetë dhe do të vazhdojmë me komunikimin”.

Fotografinë e plotë fillimisht në Facebook e publikoi Kryeministri Kovaçevski duke shkruar se ka patur një takim miqësor me diplomatin amerikan, Entoni Blinken, gjatë kohës së fjalimit të Zv/Presidentes amerikane Kamala Haris.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov, gjithashtu në Facebook, ka publikuar fotografinë e prerë duke shoqëruar edhe me foto tjera, duke shkruar se eliminimi i korrupsionit është një ndër prioritetet e gjithë komunitetit demokratik dhe shërbimeve të sigurisë.

Por, gjatë ditës së sotme, Kryeministri bullgar Kiril Petkov, përmes një postimi në Facebook ka publikuar se askush nuk do të mund ta ndalë atë dhe Kryeministrin e RMV-së, Dimitar Kovaçevski, që të shënojnë progrese në marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit.

Për shumicën, sipas Kryeministrit bullgar Petkov, këto fjalë tingëllojnë si ëndërr, të tjerët organizojnë provokime që kjo të mos ndodh, kurse të tretët nuk dëshirojnë stabilitet të Ballkanit- ka shkruar Petkov në FB.