Kryeministri Zaev paralajmëroi takim të hënën me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Gjatë ditës së sotme pyetëm kryeministrin Zaev se a do të ketë takim edhe me partitë opozitare shqiptarë për ligjin për shtetësi ku ka disa javë që Aleanca për Shqiptarët dhe Altrenativa kanë bllokuar kuvendin për shkak se opozita maqedonase bllokoi ligjin për shtetësi.

“Po. Unë do të takohem me Aleancën dhe Alternativën javën tjetër për të zgjidhur problemin e qytetarëve pa shtetësi”, tha kryeministri Zoran Zaev për TV21.

Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se qëndrimet e tyre janë të qarta dhe se janë të hapur për një takim me kryeministrin Zaev që të gjendet zgjidhje për qytetarët pa shtetësi.

“Qëndrimet tona ne lidhje me shtetësinë janë te qarta dhe të thëna publikisht ne preskonferencë nga kryetarët e koalicionit Aleanca për Shqiptaret dhe Alternativa ashtu siç edhe është veprimi ynë politik në lidhje me këtë temë. Bllokim për sa kohë bllokohemi. Natyrisht jemi të hapur për biseda që të gjindet zgjidhje dinjitoze për këtë kategori qytetaresh”, thonë nga koalicioni ASH-AAA.

Që kur opozita maqedonase VMRO-DPMNE bllokoi ligjin e propozuar nga ASH-AAA për shtetësi, opozita shqiptare me mijëra amendamente bllokoi çdo propozim-ligj të dorëzuar në Kuvend nga pushteti.

Gjatë ditës së djeshme u zhbllokua ligji për ndihmë financiare për kompanitë pasi VMRO-DPMNE krijoi kuorum për miratimin e nevojës së ligjit.