Në Tempullin kryesor “Shën Klimenti i Ohrit” sot në Shkup u mbajt liturgjia e Krishtlindjeve me rastin e festës së madhe krishtere Lindja e Jezu Krishtit – Krishtlindja.

Liturgjinë e udhëhoqi kryetari i Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Peshkopi i Ohrit z. Stefani në shoqërinë e priftërinjve të KOM.

Në mesazhin e Krishtlindjeve, besimtarëve u dëshiroi ta duan njëri-tjetrin, ndërsa ky vit të jetë vit i ngadhënjimit mbi të keqen dhe armiqësisë dhe vit në të cilin do të marrë fund vuajtja nga sëmundja famëkeqe.

“Kjo është një kohë kur besimi ynë është sprovuar. Jeta e kombeve, me gjithë arritjet, po bëhet më e vështirë dhe më e pasigurt. Ne jetojmë në një kohë të krizave të shumta ekonomike, politike, sociale, arsimore, shëndetësore dhe veçanërisht morale. Ka gjithnjë e më shumë tragjedi dhe vuajtje njerëzore në botë, gjithnjë e më shumë egoizëm, pandjeshmëri, egërsi, hipokrizi, zili, krenaria mbretëron, dhe dashuria zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga urrejtja dhe e mira me të keqen, dhe kjo sepse gjithnjë e më pak kemi qasjen ndaj jetës, dhe nuk ua bëjmë të tjerëve atë që duam të na e bëjnë të tjerët. Kjo është arsyeja pse ne nuk mund ta kuptojmë qëllimin e jetës njerëzore dhe kuptimin e saj, as nuk mund të gjejmë rrugën e shpëtimit, sepse jemi larguar nga Zoti dhe nga njëri-tjetri”, porositi z. Stefani.

Pandemia, siç theksoi, na dëshmoi se sa është njeriu i pafuqishëm edhe krahas të gjithë vetëbesimit dhe arritjet dhe njohuritë e tij.

“Pandemia më e tmerrshme e ditëve të sotme është që njerëzit harruan ta besojnë Zotin dhe t’i duan të afërmit, ndërsa pendimi është ilaçi më i mirë kundër të gjitha sëmundjeve të trupit dhe shpirtit”, tha kryetari i KOM-it.