PDSH ka mbledhur kryesinë qendrore për të analizuar situatën pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Sa i përket vendimit të mbrëmshëm të BDI-së, nga PDSH thonë se kërkesat e tyre nuk i përmbajnë kushtet kryesore të avancimit të të drejtave të shqiptarëve.

Kundër-reagimin e VMRO-së, PDSH e sheh si lojë mes dy partnerëve të vjetër të koalicionit.

“Ajo që shohim që po ndodh këto ditë sa i përket deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, për fat të keq më duhet të them se kjo deklaratë e përbashkët për çdo ditë tkurr kërkesat që ishin në atë deklaratë dhe ne kemi frikë se çdo ditë që vjen në fund do del se partitë nënshkruese të kësaj deklarate do thonë që i kanë hy në hak VMRO-së dhe në fund do kërkojnë që këtë deklaratë ta mbushin me pika shtesë nga programe dhe platforma e VMRO-së të cilën do zotohen ta realizojnë.

Ne kemi dhënë qëndrimin tonë që fatkeqësisht disa mediume nuk e kanë dhënë, është qëndrim i PDSH-së për sa i përket deklaratës së nënshkruar të partive shqiptare, dhe ky qëndrim thotë se kjo deklaratë nuk i përmban kushtet thelbësore të avancimit të të drejtave shqiptarëve, dhe kjo deklaratë për ne është vetëm folklor që bën zhurmë dhe asgjë më tepërt. Sa i përket reagimit të VMRO-së, ne mendojmë se është lojë e kamotshme që luajnë këta dy parti, VMRO dhe BDI”,- tha zëdhënësi i PDSH-së, Bekim Fazliu.