Shkruan: Kim Mehmeti

“A e keni vërejtur: sa afrohen zgjedhjet parlamentare, kryetari i BDI-së fillon ta vajtojë përçarjen e shqiptarëve të Maqedonisë në më shumë parti?! Pra ai që na përçau, që na çoi ta votojmë LSDM-në maqedonase, e cila e shpëtoi BDI-në në zgjedhjet vendore, paturpshëm e përbuzë inteligjencën tonë duke besuar se kemi harruar se partisë së tij ia dhamë gjithë besimin tonë, e ajo na e dhuroi ‘Sopotin’, ‘Brodecin’, ‘Monstrën’, Enciklopedinë maqedonase që përbuzi shqiptarët, ‘Shkupin 2014’, likuidimin e Harun Aliut me shokët, natën e Tradhtisë së madhe në Kumanovë… Dhe do mjaftonte vetëm ky kalendarë i ynë tragjik që kryetarit të BDI-së t’i vinte turp të dilte publikisht para nesh, e jo më të na shiste orë nga demokracia.

Shkurt e shqip, shqiptarët e këtushëm e jetuan absurdin e pashpjegueshëm: sa më e fortë ishte BDI-ja që i përfaqësonte nëpër institucionet shtetërore, aq më të pambrojtur e më të dobët ndjeheshin ata. Mbase pse kjo parti kishte vetëm një qëllim: që forcën politike të shqiptarëve të Maqedonisë ta keqpërdorte për interesa personale të drejtuesve të saj.

Andaj kur kryetari i BDI-së e vajton përçarjen e shqiptarëve të Maqedonisë, nuk ka si mos të të kapin të vjella e të mos shtrosh pyetjen logjike: vallë ky njeri me të vërtet na konsideron për trutharë, që nuk e dimë se forcën e një populli nuk e përcaktojnë partiakët, por vlerat që ai ka, e të cilat vlera kjo parti thuajse i shkatërroi?!

E sa u përket vlerave, kryetari i BDI-së dhe shokët e tij, janë shëmbëlltyra e turpit dhe e injorancës tonë politike, turp dhe injorancë që na përshkruhet të gjithë neve , si në botën shqiptare ashtu edhe jashtë saj.”