Këshilli Iniciues i cili bashkë me disa qytetarë të hënën mbajtën protestë në rrugën “Industriale” të Tetovës, për shkak të pasigurisë së këmbësorëve në këtë rrugë, sot është takuar me kryetaren e Komunës, Teuta Arifi, e cila është zotuar se do t’i plotësojë kërkesat e tyre, me qëllim që të ngritët siguria, njofton Portalb.mk.

“Në takim u bisedua rreth problemit të shpejtësisë me të cilën qarkullojnë automjetet në këtë rrugë, sigurisë së këmbësorëve në komunikacion, që shpesh ka rezultuar më aksidente në trafik dhe që fatkeqësisht kanë marrë edhe jetë njerëzish”, informojnë nga Komuna e Tetovës.

Palët thonë se janë pajtuar që siguria e qytetarëve është prioritet i padiskutueshëm, dhe u janë dakorduar që në një afat sa më të shkurtër kohor të fillojnë me hapa konkret, duke marrë masa për të minimizuar mundësinë e paraqitjes së aksidenteve të trafikut në të ardhmen.

“Organet komunale i pranuan kërkesat e protestuesve dhe u zotuan se do i zbatojnë të njëjtat në afat sa më të shkurtë kohor. Kryetarja e komunës u zotua se deri ditën e premte do t’i dërgojnë kërkesë SPB-Tetovë për pëlqimin në lidhje me vendosjen e pengesave për zhvillimin e shpejtësisë si dhe ngritjen e vendkalimeve për këmbësorët në nivel më të lartë se asfaltin. Gjithashtu u zotuan se të premten do të japin afatin se kur do të bëhet ndarja fizike e rrugës industriale duke lënë hapësirë për kalim vetëm aty ku ka vendkalim për këmbësorët. E gjithë kjo punë do të bëhet për parandalimin e aksidenteve fatale në këtë rrugë. Këshilli Iniciues i protestës njofton se të gjithë procesin dhe zhvillimet do i ndjekë me vëmendje. Këshilli paralajmëron se në rast të moszbatimit të premtimeve do i rikthehen protestave për bllokimin e rrugës industriale deri në plotësimin e kushteve për këmbësorët dhe pjesëmarrësve në trafik”, shkruan Besian Leka, nga Këshilli Iniciues.