Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka afat qe deri sot pasdite ose më së voni nesër të shqyrtojë ankimimet për parregullsitë që i kanë parashtruar dje partitë politike. Në KSHZ kanë arritur 8 ankimime nga Lëvizja Besa dhe 8 nga LSDM-ja. Lëvizja Besa ka parashtruar ankimim për njësinë e 2 zgjedhore, ku sipas tyre, nëse pranohen ankimimet e tyre mund të merr edhe një mandat, të cilin sipas rezultateve preliminare e ka marrë VMRO DPMNE, ndërsa Besa pretendon se rezultatet janë sajuar dhe ky mandat i takon Lëvizjes Besa. Ndërkohë, LSDM-ja pret edhe një mandat plus në njësinë e 6 zgjedhore. KSHZ është e obliguar të vendosë sipas ankimimeve në afat prej 48 orësh pas pranimit. Kundër vendimit të KSHZ-së, mund të parashtrohet padi deri te Gjykata Administrative, në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, megjithatë, pas ankesës është e detyruar të marrë vendim në afat prej 48 orësh pas pranimit të saj.