Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë të caktuara për më 11 dhjetor të këtij viti do të fillojë më 21 nëntor, kumtoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Nga KSHZ-ja përkujtojnë se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve e deri në fillim të fushatës zgjedhore, radiodifuzerët dhe mediat e shtypit nuk guxojnë të emetojnë, gjegjësisht të publikojnë reklama të paguara politike.

“Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve e deri në përfundimin e tyre, radiodifuzerët, mediat e shtypit dhe mediat elektronike (internet portalet) nuk guxojnë të emetojnë, gjegjësisht të publikojnë reklama të financuara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, nga buxheti i komunave dhe të qytetit të Shkupit dhe të gjithë personave tjerë të cilët me ligj u besohet kryerja e autorizimeve publike”, theksohet në kumtesën e KSHZ-së.

Për shkelësit e këtyre dispozitave, Komisioni shtetëror zgjedhor do të iniciojë procedura adekuate në pajtim me kompetencat e tij. Vlera e gjobave për kundërvajtje tjera përcaktohen në nenin 181 dhe 182 nga Kodi zgjedhor.