Ndërsa anketuesit filluan kontrollin në terren për rastet e dyshimta në listën zgjedhore, pas një debati të nxehtë KSHZ miratoi vendimin për publikimin e të 89 mijë votuesve fantazmë në faqen e internetit. Ky vendim u kundërshtua ashpër nga anëtarët e LSDM-së pasi e cilësuan si të kundërligjshëm.

“Unë personalisht do të jem kundër kësaj për shumë arsye. Njëra ndër këto arsye është se kjo gjë është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, pastaj unë besoj se në këtë mënyrë po minohet ky proces që d.m.th kontrolli në terren”, deklaroi Igor iliev, LSDM.

Ndryshe nga LSDM, vendimi u mbështet nga VMRO , BDI, PDSH. Duke përkrahur publikimin e votuesve fiktiv në ueb faqen e KSHZ-së anëtari i PDSH-së Bedredin Ibrahimi tha se personat të cilët do të anketohen në terren nuk janë të informuar se do të vizitohen nga anketues dhe për këtë arsye është mirë që lista të plasohet në ueb faqen e KSHZ-së.

“ Ata njerëz janë gjetur në listën e kërkimit për shkak se analiza e kryqëzimit përfshinte shumë pyetje. Në atë mënyrë për ndonjë arsye nuk ka pasur të dhëna të sigurta për disa votues”, tha Bedredin Ibrahimi, anëtarë I KSHZ.

Kontrollin në terren janë duke e kryer anketuesit e KSHZ-së të trajnuar për detyrën e tyre, kurse do të mbikqyren edhe nga vëzhgues të katër partive politike, mirëpo këta të fundit do të munden vetëm të vëzhgojnë dhe assesi të ndërhyjnë me pyetje për personat e kontestuar. Ndërkaq nga KSHZ-ja bën të ditur se numri më i madh i kontrolleve do të kryhen në Çair ku ka rreth 17 mijë raste të dyshuar, në Tetovë 6229 dhe Gostivar 4383. /Alsat-M