Zinedine Zidane tashmë i qetë mund të vazhdojë ndeshjet pasi disa lojtarë kryesorë i janë rikthyer në fushë pas dëmtimeve.

Ky është një lajm shumë i mirë për Zidane pasi pritet një lojë e fortë më fundjavë kundër Atletico Madridit.

Pas Luka Modric dhe Mateo Kovacic, tashmë është radha e Sergio Ramos i cili pas një muaji të gjatë do të rikthehet në fushën e blertë.

Sipas asaj që raporton gazeta madrilene “AS”, kapiteni i “Los Blancos” nuk ndien më shqetësime nga dëmtimi që pësoi në sfidën mes Shqipërisë dhe Spanjës.

Kujtojmë që edhe Pepe është i dëmtuar dhe do të humbë ndeshjen kundër Atleticos ku në qendër të mbrojtjes pritet të aktivizohet dyshja Ramos- Varane.

Rikthimi i kapitenit vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Realin e Madridit që gjatë kësaj periudhe ka një kalendar shumë të vështirë dhe do të luajë një pjesë të mirë të sezonit.