Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Baza do të jetë Kuçova dhe vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kucovës do të investohen mbi 50 milion euro.

Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në facebook.

“Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kucovës. Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbeje njëkohësisht edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky Investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjellë një standart të ri për Forcat tona të Armatosura” shkruan Rama

Kuçova do të shërbejë njëkohësisht edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare.

“Padyshim, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknokogjisë së fundit.

Paralelisht, po zhvillohen diskutime direkte me partnerin tonë strategjik, SHBA, për modernizimin e mëtejsh kapaciteteve ajrore shqiptare. Së shpejti, pritet qe vendimet e përbashkëta të këtyre diskutimeve do të shkojnë për miratimin e Kongresit Amerikan” vijon Rama
Një vlerësim i madh për Shqipërinë e quajti ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Në këtë 10-vjetor të anëtarësimit tonë në NATO, nuk mund të kishte vlerësim më të madh për seriozitetin, kontributin dhe përkushtimin, që pavarësisht kufizimeve e vështirësive, kanë treguar efektivët e forcave tona të armatosura. Krenari për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” shkruan në një postim në facebook