Nga Pr.Dr. Etem Aziri-

Urime festa e madhe e ALFABETIT miq të nderuar! Jam thellë i vetëdishëm se sot duhet të festojmë dhe të shkruajmë për Kongresin e Manastirit. Por edhe ndonjë shkrim tjetër jashta lindjeve, ditëlindjeve, ku ishim dhe pse ishim ndoshta do të zgjojë interesim te një numër i vogël lexuesish.
Sot më provokoi pozitivisht shkrimi i një profesoreshe nga Kosova në lidhje me Kongresin e Manastirit. Një tekst shumë prekës dhe domethënës. Shpresoj ta keni lexuar.
Andaj, unë sot vendosa të shkruaj për “Organizimin e mëvetësishëm politik të shqiptarëve në RMV” që t’ua bëjë të qartë elitave politike se ne jemi bartës të sovranitetit, e jo dele siç pretendojnë të na llogarisin elitat politike kohë pas kohe.
Çfarë është organizimi i mëvetësishëm politik?! Shkurt thënë organizimi i mëvetësishëm politik është korniza brenda të cilës duhet të veprojnë të gjitha subjektet që i takojnë një kolektiviteti nacional. Kjo kornizë që nënkupton vetëdijen kolektive të një kombi, ose pjese të kombit është i domosdoshëm për popujt e robëruar, popujt me probleme të shprehura të brendshme dhe pjesë të kombit që jetojnë jashta kufijve të shtetit amë. Organizimi i mëvetësishëm politik nuk paraqet shumën e partive politike dhe subjekteve tjera, por diçka më të lartë se aq, një vlerë “sui generis”.
Pra në asnjë mënyrë nuk guxojmë të vendosim shenjë barazimi mes subjekteve politike dhe organizimit politik.
Kur bëhet fjalë për organizimin e mëvetësishëm politik të shqiptarëve të RMV-së, të themi se daton me fillimin e pluralizmit. Më herët përshkak të parullës së mirënjohur “barazia (e imagjinuar) e kombeve dhe kombësive” as në ëndërr nuk guxonin shqiptarët të flisnin për një organizim vetanak politik në korniza të RSFJ-së.
Në RMV, themelet e organizimit të mëvetësishëm i vunë dy partitë e para shqiptare PPD dhe PDP, parti të cilat e morën mbi supet e veta avancimin e çështjes shqiptare këtu. Ky organizim me efektshmërinë e vet në fazën fillestare shënoi suksese të pakontestueshme, që i pengonte jo vetëm elitës politike maqedonase, por fatkeqësisht edhe disa qarqeve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Veprimi politik i shqiptarëve i bazuar në vlera dhe iniciativa demokratike i homogjenizoi forcat konservatore të cilat filluan ta godasin këtë organizim nga të gjitha anët dhe me të gjitha mjetet që dispononin. Parimi “përçaj e sundo” dhe “lufta brenda llojit” u bënë përditshmëri.
Sot, organizimi i mëvetësishëm politik i shqiptarëve në RMV gjendet para një udhëkryqi, rëndë i plagosur, me gjasa reale të zhduket përgjithmonë dhe thjesht të zëvendësohet me partit shqiptare dhe luftën e tyre të paskrupullt për pushtet.
Shenjat e devalvimit shihen ashiqare. Ja disa nga ato: Makiavelizmi i pakontrolluar i partive politike shqiptare, votimi i elektoratit shqiptarë për parti jo shqiptare, koalicionimi parazgjedhorë i partive shqiptare me ato maqedonase për përfitime personale e grupore, pjesmarje në qeveri jashta përcaktimeve ideologjike etj.
Nuk duhet haruar se koncepti i organizimit të mëvetësishëm politik i shqiptarëve në RMV nuk është në kundërshtim me garat politike brendashqiptare, por ai duhet të jetë determinuese për politikat shqiptare, vizavi shtetit. Kjo nënkupton ndërtimin e kornizave politike që do respektohen nga të gjithë lojtarët politik. Në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë “për platforma” të përbashkëta të partive shqiptare ( sepse janë shumë shqetësuese për bashkëvendasit tonë të nacionalitetit maqedonas) e aq më pak për formimin e këshillave mbipartiake, që zakonisht imponojnë dominimin e partive me më shumë ulëse në “Sobranie” karshi partive tjera.
Thjesht, organizimi i mëvetësishëm i shqiptarëve nënkupton rregulla të pashkruara, të bazuara në platformat partiake dhe frika se megjithatë sovraniteti i takon popullit, ndërsa populli që disponon me 3-4 universitete nuk është kope delesh. Partitë dhe liderët janë kategori kalimtare, populli është i përjetshëm.
Ti kujtojmë burrat e ALFABETIT. Ata nuk janë në mesin tonë, por vepra e tyre mbetet e pa vdekshme!
Partitë politike dy tre gjëra duhet t’i praktikojnë pa humbur kohë.
E para, t’i japin fund seleksionimit negativ të kuadrove dhe të parandalojmë rrugëtimin e rinisë intelektuale shqiptare drejt perëndimit.
E dyta, t’ia kthejnë dinjitetin intelegjencisë kritike shqiptare ndaj së cilës sillen si Kalifi- Omar, me rastin e ndezjes së Bibliotekës së Aleksandrisë. Ai atëbotë konstatoi: “Nëqoftëse librat në bibliotekë janë në përputhje me KURANIN janë të panevojshëm, nëqoftëse janë në kundërshtim është MËKATË”.
Edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë biblioteka duhej djegur. Elitat politike shqiptare sot në RMV thonë: “Nëqoftëse intelektualët kritik mendojnë si ne janë të panevojshëm, nëqoftëse mendojnë ndryshe janë të rrezikshëm. Andaj ata duhet devalvuar duke i mbajtur sa më larg subjekteve politike”.
Dhe e treta, subjektet shqiptare sa më parë duhet t’i harojnë armiqësitë mes veti dhe ta kthejnë organizimin politik të mëvetësishëm në binarë të sigurtë.
Ndryshe, na pret skenari turk dhe rom, në ç’rast subjektet shqiptare do të luftojnë për numra (ulëse në parlament) e jo për vlera. Një njeri i mençur në një rast tha: “Zot ruaj shqiptarët nga vetë shqiptarët, nga armiqtë historia i ka mësuar të mbrohen vetë”.
(Shkrimi është marrë nga profili i profesorit në Facebook)