Nga: Bekim Fehmiu (Pasazhe nga libri me kujtime, “Shkëlqim dhe tmerr”
Përktheu: Xhelal Fejza

Nga Beogradi në Tiranë

Java e filmit shqiptar. I ftuar… Mbahej për herë të parë “Java e filmit shqiptar” në Beograd në Shtëpinë e Rinisë. Mezi arrita të shoh fundin e projektimit të njërit prej filmave. Takoj Abdurrahman Shalën, regjisorin e ri Besim Sahatçiu… Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti.

– A do të kishit ardhur tek ne si i ftuar? – më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të zeza, i cili studimet e kameras dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë.

– Me shumë dëshirë, nëse më ftoni!

Atelie 212. Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borisllav Mihajlloviq – Mihizi, një nga intelektualët më të mëdhenj të vendit. “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar i madh. Quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”.

Erdhi ftesa që të jem i ftuar i “Kinostudios”. Ditë e zymtë. Udhëtova me atë karakatinën e JAT-it. Nga avioni mund të shihet plani urbanistik i Tiranës të projektuar në mënyrë të tillë që të mund të ndjekë rendin e fjalëve “Duçe” (kështu është quajtur Musolini). Aerodromi? Tipik për një vend të vogël dhe të varfër.

Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Pirro Milkani si dhe drejtori i “Kinostudios”.

– A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit?

Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip “Lada”. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri.

– A keni ndonjë dëshirë që do të mund t’ua plotësonim sa jeni në Shqipëri?

– Kam dy. E para, t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë.

U stepën.

– Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është?

– Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin Safete.

– Mirë! Do të shohim! Më sistemuan në hotel “Dajti” në qendër të qytetit. Më pëlqeu heshtja, pa atë zhurmën e qarkullimit të automjeteve, vetëm ndonjë biçikletë. Tirana duket e bukur. Bulevarde të gjëra, me shumë lule, me pemë anash… Monumenti i Gjergj Kastriotit dominon tërë qendrën. Mikpritësit kishin organizuar shfaqjen e filmit “Odiseja”. Salla e kinemasë e mbushur plot e përplot me të ftuar të përzgjedhur. Duartrokitje dhe pritje njëlloj sikur presin një njeriun e tyre. Me krenari, me gëzim, me ngrohtësi. Filluan vizitat zyrtare. Në Lidhjen e Shkrimtarëve, krahas me të tjerët, njihem me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin… Ismail Kadareja, intelektual tipik, me syze me skelet metalik, duke dalë më thotë:

– Do të doja t’ju dhuroj romanin tim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por kam vetëm versionin në gjuhën frënge.

– Do të më bëhej shumë qejfi.

Më dhuroi bestsellerin e tij me dedikim. Vizitova Akademinë e Arteve. “Kinostudion”. Biseda të thjeshta. Pyetjet, profesionale. Ndjehet kërshëria e tyre, dëshira për të ditur sa më shumë. Pyetjet i bëjnë të përzgjedhurit. Jashtë në rrugë më drejtohet një djalosh me trup atleti, me sy të zinj dhe të mëdhenj, me flokë të zinj të dendur:

– A mund të më jepni një autograf? Unë jam student i vitit të tretë të Akademisë së teatrit. Quhem Timo Flloko. Kam një motër në Jugosllavi. Njerëzit e mi janë nga Peja…

Ata që më shoqëronin ma bënin me shenjë që të nxitoja.

– Ju do të jeni Omar Sharifi shqiptar! – i them djaloshit kur u ndamë.

Durrësi

Durrësi. Teatri. Në hyrje, busti i Aleksandër Moisiut. Marr pjesë për herë të parë në një koncert me këngë e valle. Zëra madhështorë, të shkolluar. Bukuria e atyre valleve të ngadalta për nga ritmi, por dinjitoze dhe, menjëherë më pas shumë të gjalla. Valltarët e veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe. Jam i emocionuar, thuajse më zihet fryma dhe jam shumë krenar që po më jepet rasti të shoh këtë bukuri. Më shpunë të njihem me anëtarët e Ansamblit. I përgëzoj dhe i falënderoj që më bënë të përjetoj këtë ndjesi të paharrueshme. Nuk e kisha ditur se në Durrës kishte një amfiteatër, madje edhe i madh sa ai i Koloseut romak. Është zbuluar vetëm një e treta. Shoqëruesit më takuan me arkeologun amator. Dridhet nga emocioni, duke më treguar një varëse të hollë prej ari, ku ishte varur në figurë në formën e gjethes së duhanit. Dridhet sa herë që e prek. Çfarë thesari! Thesar i vërtetë kulturor, shpirtëror. Me sugjerimin e atyre që më shoqëronin, më dhuroi si pa qejf, një kopje të Afërditës të shekullit IV-V p.e.s.

Kruja

Vendlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Cili është ky gjeni, i cili arriti që për një çerek shekulli të ndalë fuqinë e pandalshme të Perandorisë Osmane dhe të mos e lejojë depërtimin e saj drejt Perëndimit. Kalaja e Skënderbeut, e cila dominon në tërë kodrën e qytetit, është e rikonstruktuar nga disa pjesë të saj të shekullit XIV.

– Përse përkrenarja e Skënderbeut ka një kokë dhie? – e pyes ciceronin e muzeut.

– Gjatë një beteje Skënderbeu lidhi pishtarë pishe në brirët e dhive, të cilat pastaj i lëshoi para ushtrisë së tij. Turqit u frikësuan “nga kjo ushtri e madhe që po vinte drejt tyre” dhe u tërhoqën. Në shenjë përkujtimi për këtë betejë ai e zbukuroi përkrenaren e tij me kokën e dhisë me brirë.

Sapo hymë në kështjellë, e pyes:

– Përse keni ndërtuar një muze prej alumini e qelqi në një ambient të rrethuar me gurë qindravjeçarë? Keni futur Amerikën në kështjellë.

Në Shkodër

Shkodër. Qytetin nga i cili kam disa kujtime të gjalla, nuk e njoha fare. Hoteli? Një ndërtesë njëkatëshe, një shtëpi e bukur me çardak, oborr dhe bahçe. Më kujtoi shtëpinë e Shaip Pashës në Prizren. Më shpunë tek një zonjë e vjetër, e veja e Bajram Currit, e cila më priste. Shtëpia e saj mbushur me kushërinj dhe miq të ftuar. Dervishe Hanëmi, e dashur dhe e ngrohtë, qëndronte ulur në minder. Në mur, sipër kokës së saj, fotografia e të shoqit. Iu afrova dhe i putha dorën.

– Hedija, gruaja e Ibrahim Fehmiut, së bashku me fëmijët e saj ju dërgojmë përshëndetjet e tyre të përzemërta dhe mu lutën t’ju përqafoj.

Fytyra e saj ndriste si shenjtëreshë. Përqafimi i saj, i butë dhe erëmirë, tamam si prej plake. Më uli afër vetes, duke më mbajtur dorën ndërmjet duarve të saj.

– Cili je ti? – më tha.

– Ai më i vogli, Bekimi – i thashë.

Më pyeti për Dijen dhe të gjithë të tjerët emër për emër. E rrëmbyen kujtimet për të shoqin, për babain tim, e në mënyrë të veçantë për Dijen dhe ato kohë të stuhishme. Fytyrat e të pranishmëve si të përskuqura. Kur u ndamë, bëmë një fotografi për kujtim. Ditë e re. Dolëm për të bërë një shëtitje nëpër Shkodër. Shkodra është e pastër si të gjitha qytetet. Duke shëtitur na afroheshin njerëz. Turma që na shoqëronte po bëhej gjithnjë e më e madhe…

– Çfarë është bërë me dashurinë time të parë, Bukuroshen?

– Për fat të keq nuk arritëm ta gjenim. Nuk ka në Shkodër ndonjë familje me mbiemrin Tahiri.

Duke ecur, vura re dy rrathë të përkryer: njëri me perimetër më të madh dhe tjetri më i vogël brenda tij.

Parada e 1 Majit

Shokët më thonë se duhet të jem i pranishëm në tribunën ku do të jetë edhe Enver Hoxha. Më pyesin nëse pranoj, duke pasur parasysh se mund të kem probleme në vendin ku jetoj. 1 Maji i vitit 1972. Në tribunën para hotel “Dajtit”, ja ku jam edhe unë në rreshtin e parë, i rrethuar nga qindra kinezë të veshur me rroba doku dhe të kopsitura deri në grykë. Nga ana ime e majtë, rreth njëzet metra, Enver Hoxha përshëndet me dorë ata që parakalojnë. Parakaloi edhe ushtria me uniforma ngjyrë kaki dhe e “armatosur” me automatikë. Qëndrimi i tyre ushtarak, rreshtat, nuk më pëlqyen. Përkundrazi. Fytyrën e Enver Hoxhës nuk arrita ta shoh.

Dita e fundit. Teksa shëtisim nëpër bulevard, shokët më flasin për konfliktin dhe ndarjen me Hrushovin dhe BRSS-në, për shkak të të cilit për pak sa nuk kishin vdekur nga uria. Kishin qenë të detyruar ta blinin me ar grurin në Kanada.

– A e patë shokun Enver. Ja tek është. Vetëm dy shoqërues.

E vështrova. Një zotëri i vjetër, veshur me kostum ngjyrë bezhë. Pa kravatë, borselino në kokë, duart pas kurrizit, shëtit ngadalë nëpër bulevardin e zbrazët.

– Përse nuk ka ndonjë sigurim të veçantë?

– Jo! Nuk është nevoja. Nuk ka asnjë rrezik. Populli e do. Shoku Enver banon këtu.

Më treguan një vilë të rrethuar me gjelbërim e lule. Hymë edhe në dy banesa private. Në banesën e parë, të mobiluar thjesht, Dhimitër Anagnosti më njeh me të shoqen, një artiste bukuroshe. Miku i familjes sonë, Ramadan Sokoli, të cilin nuk e njihja, një intelektual i jashtëzakonshëm dhe i cili nuk ishte fort i dashur për regjimin, më dhuroi shiritat e magnetofonit me regjistrime të monologëve të Aleksandër Moisiut. Çfarë dhurate!