Çështja e keqtrajtimit të akuzuarve për rastin e Kumanovës, mbetet viktimë e grupit të punës të ministrinë e Brendshme. Zëvendës ministri i brendshëm nga radhët e BDI-së, Agim Nuhiu thotë se pas ankesave të fundit ka dorëzuar iniciativë të re për vlerësimin e përgjegjësisë Institucionale, por duke mos potencuar se deri ku kanë arritur iniciativat për keqtrajtimet që i janë bërë më herët grupit të Kumanovës.

“Marrë për bazë rekomandimet e këtij grupi të punës, unë kam parashtruar iniciativë deri tek Departamenti për kontrolle të brendshme, hulumtime kriminalistike dhe sjellje profesionale për vlerësimin e përgjegjësisë institucionale. Edhe për ankesat e fundit, sot kam deponuar iniciativë të re”, tha Agim Nuhiu, Zëvendës ministër i MPB-së.

Edhe sot kërkuam qëndrim nga ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi por nuk morëm asnjë përgjigje. Ditë më parë, mbrojtja e të akuzuarve për rastin Lagja e Trimave, përsëri denoncoi keqtrajtime dhe dhunë nga ana e pjesëtarëve të policisë ndaj të akuzuarve për këtë rast. Së fundi, i akuzuari Valdet Zekaj, referuar avokatit të tij mbrojtës, është keqtrajtuar nga policia gjatë transportit nga burgu për në gjykatë dhe anasjelltas.

“Kërkuam që në të ardhmen të merren masa të ndërpritet dhuna e cila bëhet ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës dhe apeluam se nëse vazhdon tortura, pala mbrojtëse do të obligohemi të bojkotojmë seancën me qëllim sigurimin e klientëve tanë”, deklaroi avokati Mefail Arsllani.

Grupi i Kumanovës tashmë disa herë është keqtrajtuar nga policia. Pala mbrojtëse disa herë ka denoncuar dhunën. Megjithatë, nga Prokuroria publike me muaj të tërë japin të njëjtën përgjigje, se po hetojnë rastet.Alsat-M