Të akuzuarve për rastin “Lagja e Trimave” komunikimet u janë ndjekur në mënyrë jo ligjore. Alsat M mëson se pjesëtarët e këtij grupi janë përgjuar vetëm përmes telefonit dhe jo përmes dyshimeve të bazuara për vepër penale dhe me urdhëresë të Prokurorisë për ndjekje në bazë të emrit dhe mbiemrit të personit.

“Këto përgjime kanë qenë të jashtëligjshme. Ligji për procedurën penale, neni 257, paragrafi 1, e parashikon që çdo përgjim që bëhet me urdhër të Prokurorisë Publikë dhe të gjykatësit të procedurës paraprake, duhet patjetër të mbaj emrin dhe mbiemrin e personit që duhet të jetë në këto masa të veçanta hetuese. Kemi shumë shembuj kur kemi të bëjmë vetëm me numra të telefonit që janë përgjuar, pra numri target, por jo edhe emri dhe mbiemri i personit që është i përcjell”, deklaroi avokati Naser Raufi.

Ekzistojnë biseda të përgjuara edhe pas 10 majit, që ende nuk janë dëgjuar nga trupi gjykues. Sipas mbrojtjes, këto përgjime do të mund të zbardhin motivin e rastit. Raufi shton se në këto përgjime janë përfshirë edhe politikan dhe bartës të funksioneve shtetërore.

“Sipas meje përgjimet pas ngjarjes do të jenë më të rëndësishme si prova në favor të mbrojtjes dhe të akuzuarve. Telefonatat pas ngjarjes tregojnë se kush është motivi dhe skenari i këtij rasti dhe do të jenë shumë më me rëndësi se këto biseda që janë shpalosur deri në përgjimet e 9 majit. Jam i sigurt se ka edhe persona që janë dhe kanë qenë në poste të larta politike. Jam i sigurt se ato biseda do të jenë me rëndësi të veçantë që të detektohet motivi i rastit”, avokati Naser Raufi.

Ekzistojnë rreth 8 mijë transkriptime të bisedave të përgjuara. Deri tani në seanca gjyqësore janë lexuar bisedat deri në fillim të muajit maj. Mbrojtja pretendon se nevojiten të paktën edhe 10-12 seanca për të përfunduar me leximin e bisedave të transkriptuara. Pas këtij stadi, çdo emër që del nga përgjimet mbrojtja do ta ftojë për të dhënë dëshminë e tij./Alsat/