Hapja e paraleles në gjuhën shqipe pranë Shkollës së Muzikës “Pançe Peshev “ tashmë është bërë realitet, pasi që në seancën e fundit të Këshillit të Kumanovës u miratua ndryshimi i statutit të kësaj shkolle.
 
Me këtë hapi i radhës është që shkolla gjatë muajit korrik të aplikojë, kurse në shtator edhe të fillojë mësimin paralelja e parë në gjuhën shqipe, fillimisht për mësimin solfezh dhe teorinë e muzikës, por me gjasë që më pas edhe në mësimin në instrumente muzikore.
 
Gjatë miratimit të ndryshimit të statutit të shkollës, këshilltarët shqiptarë ishin unikë dhe paralajmëruan se jo një, por në këtë shkollë do të hapen aq paralele në gjuhën shqipe sa të ketë nxënës shqiptarë.
 
Po në këtë seancë, me kërkesë të këshilltarëve shqiptarë u ndryshua edhe plani për punësimin dhe avancimin e kuadrove gjatë vitit 2017, kjo e rendit të ditës, për të cilën ata braktisën seancën e kaluar, sepse nuk pajtoheshin me numrin e planifikuar të punësimit dhe avancimit të kuadrove shqiptare.
 
Sipas vendimit të sjellë në seancën e fundit, parashihet që gjatë vitit 2017 të punësohen dhe avancohen 63 kuadro, nga të cilët 21 parashihet të jenë shqiptarë.