Vetëm 100 metra larg godinës së komunës së Kumanovës, ndodhet lagja Romania. Edhe pse në zonën e parë të qytetit, kjo lagje ngjason me ato të mesjetës, pa kanalizim fekal, pa ujësjellës e pa asfalt. Shumica e banorëve të kësaj lagje janë detyruar që në oborret e tyre tëhapin gropa septike, gjë që mund të shkaktojë ndonjë epidemi.
“Ne banojmë hiç më larg se 100 metra larg godinës së komunës së Kumanovës, sic mund ta shihni edhe vet ja rruga se në cfarë gjendje është, një pjesë të kanalizimit ne vet e kemi bërë qysh para 20 viteve, tash koha është e mirë por një shi me ra zihet kanalizimi, bllokohet rruga 4 dhe detyrohemi fëmijët nga rruga tjetër ti dërgojmë në shkollë. Me jetu në zonën e parë të qytetit me kësi kushte kjo ndodh vetëm këtu, kemi bërë kërkesa në komunë po ashtu edhe deri te këshilltarët tonë por deri tash nuk kemi asnjë përgjigje”, tha një banor i lagjes “Romania”, Kumanovë.
Edhe pse banorët pandërprerë kanë kërkuar nga organet komunale zgjidhjen e problemit të tyre, nuk ka pasur kurrfarë reagimi.
“Ende po jetojmë në rrugë me kalldërma, po vazhdojmë të jetojmë pa kanalizim dhe me mungesë të ujësjellësit, domethënë mund të themi se nuk kemi as kanalizim e as ujësjellës, ende ka shtëpi me gropa septike, normal se tingëllon çuditshëm që në shekullin 21 të jetohet në këso kushte”, u shpreh një banor i lagjes “Romania”, Kumanovë. Alsat, për gjendjen e mjerueshme në të cilën për dekada me radhë jetojnë banorët e lagjes Romania kërkoi prononcim nga komuna e Kumanovës, por kjo e fundit nuk deshi të komentojë problematikën