Me moton “Një lule për Astrit Deharin”, në Kumanovë u mbajt marsh protestues për të kërkuar drejtësi për vdekjen misterioze të aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari. Në marshin protestues morën pjesë dhjetëra qytetarë dhe të afërm të Astritit.

“Sot me anë të këtij marshi solidarizues ne bashkarisht shprehim ngushllime dhe solidarizohemi me familjen Dehari. Ne nga Kumanova për Astritin ndamë vetëm një lule me shpresë se është i kënaqur me aromën e luleve të parajsës. Kumanova sot qan për ty Astrit”, deklaroi Xhenis Sulimani, Këshilli Organizativ.

“Ne si Kumanovarë vërtetë jemi të revoltuar, ku pas shumë e shumë rasteve ende Kumanova vazhdon të persekutohet dhe veprimtarët më të denjt të cështjes kombëtare të persekutohen, prandaj ne në mënyrë paqësore shprehëm indinjatën tonë dhe ftojmë institucionet përkatëse të ndërmarrin masa dhe fajtori të ndëshkohet”, u shpreh një qytetar.

Aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari nga Sllupçani vdiq në rrethana ende të pasqaruara në burgun e Prizrenit. Vetëvendosje vdekjen e tij e cilësuan si vrasje të qëllimshme. Dehari ishte arrestuar si i dyshuar për sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, më 4 gusht. Ai ka qenë në paraburgim që nga 30 gushti. Alsat-M